Qendra financiare e Riadit, kryeqytetit të Arabisë Saudite, është shënjestruar sot nga një sulm me raketa, ndërsa një ndërtesë në pronësi të gjigantit të naftës Aramco ka pësuar dëme.
Lajmi u bë i ditur nga dëshmitarë okularë për agjencinë franceze të lajmeve AFP, të cilët konfirmuan se kulla e Aramco-s, e vendosur në Qarkun Financiar të Mbretit Abdullah (KAFD), ishte një prej objektivave të sulmit.
“Kulla Aramco në KAFD ishte në shënjestër, kjo është e sigurt”, deklaroi një prej dëshmitarëve. Ndërkohë, dy dëshmitarë të tjerë konfirmuan se kishin parë dëmtime në ndërtesë.
Zhvillimet vijnë pasi koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi se kishte interceptuar raketa të lëshuara nga rebelët Huthi të Jemenit.
Deri më tani nuk ka informacion të plotë mbi përmasat e dëmeve, ndërsa mbetet e paqartë nëse nga sulmi ka persona të plagosur apo viktima.
Qarku Financiar i Mbretit Abdullah është një nga zonat kryesore ekonomike dhe financiare të Riadit, ku ndodhen zyra të kompanive të mëdha dhe institucione të rëndësishme financiare.



