Mbyllet konsullata e përgjithshme e Kosovës në Strugë

Kosova ka mbyllur konsullatën e përgjithshme në Strugë, dhe është vendosur që shëbrimet konsullore të përqendrohen në ambasadën e Kosovës në Shkup.

Kështu u bë e ditur përmes një njoftimi të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Maqedonin e Veriut.

“Në bazë të dekretit nr.150/2025 të presidentes së Republikës së Kosovës dhe në zbatim të vendimit përcjellës nr.Ref 261/2026 të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njoftojmë se është mbyllur konsullata e përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strugë – Republika e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.

Vendimi për mbyllje, sipas njoftimit, vjen për shkak të vlerësimit të dinamikës së këtij misioni.

“Vendimi bazohet në vlerësimin e dinamikës së këtij misioni konsullor dhe është në funksion të optimizimit të resurseve, në përputhje me qëllimet dhe nevojat e gjithëmbarshme institucionale.Në Strugë do të vijoj prezenca me zyre e Konsullit të Nderit të Republikës së Kosovës, i ngarkuar me rreth konsullor pikërisht në këtë qytet”, bëhet e ditur më tej në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se Ambasada e Kosovës në Shkup, krahas detyrave diplomatike, do të vijojë ofrimin e shërbimeve konsullore për shtetasit e Kosovës në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.