23 Prill 2026 | 11:35
Drejtori i një shkolle private në Elbasan është proceduar penalisht nga Policia e Elbasanit, pasi u shfaq në një video të publikuar në rrjete sociale teksa shtynte nxënësit në oborrin e shkollës dhe hidhte ushqimet e tyre.
Policia ka nisur procedim penal ndaj shtetasit F. K., 49 vjeç, për veprat penale “Keqtrajtimi i të miturve” dhe “Fyerja e të miturve”.
Ndërkohë, Bashkia e Elbasanit ka reaguar gjithashtu, duke e gjobitur 49-vjeçarin për ndotje të mjedisit, pasi në pamje shfaqet duke hedhur ushqimet e fëmijëve.
Njoftimi i policisë
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. K., 49 vjeç, për veprat penale ‘Keqtrajtimi i të miturve’ dhe ‘Fyerja’, pasi shfaqet në një video të publikuar në një portal, duke shtyrë fizikisht nxënës të shkollës private që drejton, si dhe duke hedhur produktet ushqimore që nxënësit kishin blerë për t’i konsumuar”, thuhet në njoftim.

