“Isha shumë e zemëruar”, aktorja e njohur turke flet pas dy martesave të dështuara

Aktorja e njohur turke, Özge Borak, e cila aktualisht luan rolin e Salkımit në serialin e shumëndjekur “Kızılcık Şerbeti”, ka tërhequr vëmendjen me deklaratat e fundit për jetën e saj personale.

E ftuar në emisionin e Gökhan Çınar, aktorja ka folur hapur për ndryshimet që ka përjetuar ndër vite, duke u ndalur edhe te dy martesat e saj të mëparshme me aktorët Bülent Şakrak dhe Ata Demirer.

Borak, e cila ishte e martuar me Bülent Şakrak nga viti 2006 deri më 2010, pranoi se gjatë asaj periudhe shpesh i kishte lënë në plan të dytë nevojat dhe ndjenjat e saj.

“Atëherë ekzistonte një Özge që zgjidhte t’i shpërfillte nevojat e veta. Isha shumë e zemëruar me gjithçka. Ndoshta nuk e shfaqja zemërimin, por e ndieja vazhdimisht brenda vetes”, u shpreh ajo.

Aktorja tregoi se sot ndihet shumë më e qetë, pasi ka mësuar të vendosë kufij dhe të përballet me emocionet e saj.

Por, vëmendje të veçantë morën deklaratat për ish-bashkëshortin tjetër, Ata Demirer, me të cilin ishte e martuar nga viti 2012 deri më 2014.

Borak sqaroi një deklaratë të vjetër, e cila ishte interpretuar sikur ajo të kishte thënë se ishte martuar vetëm për të mos e lënduar apo zhgënjyer dikë.

Sipas aktores, fjalët e saj ishin shkëputur nga konteksti, pasi në të vërtetë po fliste për marrëdhëniet shoqërore dhe profesionale, jo drejtpërdrejt për martesën.

“Nëse do të doja të flisja, do ta kisha bërë kur martesa përfundoi. Por, nuk kam qenë kurrë përkrahëse e diskutimit publik të këtyre gjërave”, deklaroi ajo.

Ndër të tjera, aktorja u ndal edhe te marrëdhëniet pas divorcit, duke theksuar se, sipas saj, kur një çift nuk ka fëmijë apo lidhje të tjera të përbashkëta, nuk është e domosdoshme të vazhdojë miqësinë pas ndarjes.

Deklaratat e saj janë pasqyruar gjerësisht në mediat turke, duke rikthyer në vëmendje historitë e dikurshme të dashurisë së aktores.