Sot, më 23 prill 2026, në ambientet e SHMK “7 Marsi” u zhvillua një trajnim i rëndësishëm për të gjithë mësimdhënësit, i organizuar nga Byroja për Zhvillim të Arsimit, me temë “Zbatimi i konceptit të ri për arsimin e mesëm në gjimnaz” informon Tetovasot.
Trajnimi nisi në ora 12:30 dhe kishte për qëllim informimin dhe mbështetjen profesionale të stafit arsimor lidhur me ndryshimet e reja në sistemin e arsimit të mesëm. Gjatë këtij aktiviteti, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen më nga afër me mënyrën e implementimit të konceptit të ri në procesin mësimor, si dhe me praktikat dhe udhëzimet konkrete që do të ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies.
Pjesëmarrja në trajnim ishte obligative për të gjithë mësimdhënësit, duke reflektuar rëndësinë që ka ky proces reformues për arsimin e mesëm në vend. Në fokus të diskutimeve ishin edhe sfidat e mundshme gjatë zbatimit dhe mënyrat për t’i tejkaluar ato përmes bashkëpunimit dhe përkrahjes profesionale.
Ky trajnim përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të arsimit dhe përafrimit me standardet bashkëkohore, duke vendosur theks të veçantë në zhvillimin e kompetencave të nxënësve dhe përmirësimin e metodologjisë së mësimdhënies.TS

