Ferizaj pa “Urosevac”, dorëzohet në Kuvend peticioni me mbi 14 mijë nënshkrime

Në Ditën e Dëshmorëve të Ferizajt është dorëzuar zyrtarisht në Kuvendin e Kosovës peticioni për largimin e emrit “Uroševac” nga përdorimi zyrtar, në shenjë respekti për të rënët për liri dhe pavarësi.

Nisma, e cila kishte nisur më 18 korrik, është përmbyllur me 14 mijë e 140 nënshkrime të qytetarëve të Ferizajt.

Përfaqësuesit e iniciativës thanë se presin që peticioni të shqyrtohet dhe të miratohet nga Kuvendi, duke theksuar se ai gëzon mbështetjen e të gjitha subjekteve politike në Ferizaj, si dhe të komuniteteve joshumicë.

“Janë mbledhur 14 mijë e 140 nënshkrime të qytetarëve të Ferizajt. Nuk besojmë se do të hasim në vesh të shurdhër, pasi kemi mbështetje nga i gjithë spektri politik në Ferizaj dhe nga komunitetet joshumicë”, u tha gjatë dorëzimit të peticionit.

Sipas organizatorëve, emri “Uroševac” konsiderohet një relikt i pushtuesit serb, ndërsa nisma synon që Ferizaj të përdoret si emërtimi i vetëm zyrtar.

“Ne nuk kemi asnjë obligim t’i mbajmë reliktet e pushtuesit serb, siç është në këtë rast emri ‘Uroševac’. Emra të tillë ka në mbarë Kosovën dhe ky është vetëm fillimi”, deklaruan ata. /Indeksonline/