Presidenca zbardh mbledhjen e Këshillit të Sigurisë: “Drejtësia të bëjë punën e vet”, çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi
Presidenti Bajram Begaj mblodhi sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku në qendër të diskutimeve ishte situata aktuale e sigurisë, forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ruajtja e besimit të qytetarëve te institucionet.
Pas përfundimit të mbledhjes, Presidenca publikoi detajet e diskutimeve, ku morën pjesë, përveç anëtarëve të përcaktuar me ligj, edhe përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-ut.
Sipas Presidencës, gjatë takimit u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë, koordinimit me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, si dhe forcimit të transparencës dhe llogaridhënies.
Një pjesë e diskutimeve lidhet edhe me çështjen e Vlora Hysenit, ku Presidenca thekson se hetimet e drejtësisë duhet të zhvillohen në mënyrë tërësisht të pavarur dhe të respektohen nga të gjitha institucionet.
“Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë”, thuhet në përfundimet e publikuara pas mbledhjes.
Presidenca: Institucionet nuk duhet të konkurrojnë mes tyre
Në përfundimet e mbledhjes, Presidenca thekson se institucionet e sigurisë kanë përgjegjësi të ndryshme, por një qëllim të përbashkët: sigurinë e Republikës së Shqipërisë.
“Për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes: sigurisë së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në deklaratë.
Presidenti kërkon që çdo mosbesim institucional të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional.
Po ashtu, Presidenca thekson nevojën që institucionet t’u dëshmojnë qytetarëve se sistemi është në gjendje të korrigjojë vetveten dhe të mbrojë interesin publik, përmes forcimit të standardeve, kontrollit, transparencës dhe llogaridhënies.
Në përfundim, Presidenca nënvizon se Këshilli i Sigurisë Kombëtare është organ këshillimor i Presidentit dhe nuk merr vendime. Mbledhjet e tij zhvillohen të mbyllura, ndërsa Këshilli e mbështet Presidentin në ushtrimin e kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore.



