Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, pas miratimit të deklaratës në mbështetje të krerëve të UÇK-së, ka falënderuar deputetët që e mbështetën këtë nismë.
Tahiri tha se kuvendi e ka kryer pjesën e tij të punës, ndërsa tashti përgjegjësia i takon qeverisë për projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Është momenti që, në emër të PDK-së, si iniciatore, t’i falënderoj të gjithë deputetët që me votën e tyre e mbështetën deklaratën në mbështetje të krerëve të UÇK-së dhe shprehën revoltën ndaj kësaj padrejtësie. Kuvendi e kreu punën e vet. Ndërsa tashti përgjegjësia është te qeveria për projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara”, tha Tahiri.
Ai kërkoi që qeveria ta trajtojë projektligjin me përgjegjësi dhe urgjencë, duke theksuar se nuk ka arsye për vonesa.
“S’ka arsye që ligji të vonohet. Presim që qeveria ta bëjë punën e vet sot dhe këto ditë ta sjellë ligjin në kuvend”, deklaroi Tahiri.



