Për pak pritet të nisë seanca e radhës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e shpërthimit në kanalin e “Ibër-Lepencit”, shkruan IndeksOnline.
Jovan dhe Dragisha Viçentijeviq, si dhe Igor Dimoviq, do të paraqiten sot, më 29 shtator, para gjykatës, në vazhdimin e procesit gjyqësor për ngjarjen e 29 nëntorit 2024 në Varagë të Zubin-Potokut.
Vëllezërit Viçentijeviq akuzohen për rrezikim të rendit kushtetues përmes shkatërrimit apo dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike, në lidhje me kryerjen e veprës terroriste, si dhe për armëmbajtje pa leje.
Jovan Viçentijeviq përballet edhe me akuzën për spiunazh, ndërsa Igor Dimoviq akuzohet për armëmbajtje pa leje.
Rasti lidhet me shpërthimin në kanalin e “Ibër-Lepencit”, ku sipas aktakuzës ishte vendosur një çantë me rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT.
Shpërthimi kishte dëmtuar infrastrukturën e furnizimit me ujë dhe kishte rrezikuar furnizimin e termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Në kuadër të procesit gjyqësor janë përfshirë edhe prova materiale dhe ekspertiza të ndryshme që lidhen me vendin e ngjarjes dhe të dyshuarit.
Në seancën e 9 korrikut 2026 ishin paraqitur fjalët hyrëse, ndërsa procesi pritet të vazhdojë sot me zhvillime të reja.
Të akuzuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë.



