Më shumë se 270 klerikë katolikë kanë abuzuar seksualisht me rreth 1.000 fëmijë në tri dioqeza të Massachusetts-it për disa dekada, sipas një raporti hetimor të publikuar dje nga Prokurorja e Përgjithshme e këtij shteti amerikan.
Raporti i Prokurores së Përgjithshme të Massachusetts-it, Andrea Joy Campbell, konsiderohet regjistrimi i parë i plotë publik i rasteve të abuzimit dhe dështimeve institucionale që lejuan përhapjen e fenomenit për më shumë se gjysmë shekulli në dioqezat katolike të Fall River, Springfield dhe Worcester.
Lexo edhe:
Shtohen arrestimet për krime zgjedhore/ Todd Blanche: Zbatimi i ligjit është themelor për demokracinë
Pjesa më e madhe e rasteve të abuzimit të përshkruara në detaje në raport ka ndodhur para vitit 2002 — vit kur skandali i abuzimit seksual nga klerikët doli në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, falë raportimeve të gazetës Boston Globe, të cilat u nderuan me Çmimin Pulitzer, mbi mënyrën se si zyrtarët e Arqidioqezës Katolike Romake të Bostonit kishin fshehur sistematikisht abuzimet seksuale të kryera nga priftërinj.
Hetimi i Prokurores së Përgjithshme evidentoi probleme të ngjashme që kishin ndodhur prej vitesh në këto tri dioqeza në zona të tjera të Massachusetts-it. Sipas Campbell, drejtuesit e dioqezave e dinin se priftërinj dhe klerikë të tjerë po abuzonin me fëmijë.
«Shumë shpesh ata mbronin reputacionin e kishës në vend që të mbronin fëmijët», deklaroi Campbell.
Raporti identifikoi të paktën 275 anëtarë të klerit, të akuzuar për abuzimin e 944 fëmijëve.
«Pas çdo numri qëndron një fëmijë, siguria e të cilit është shkelur, një familje jeta e së cilës ka ndryshuar përgjithmonë dhe një i mbijetuar që ka mbartur traumën e këtij abuzimi për vite me radhë dhe, në shumë raste, për dekada», deklaroi ajo para gazetarëve.
Dioqeza e Worcester-it, në një deklaratë, tha se do ta shqyrtojë raportin «për të identifikuar çdo përmirësim shtesë që mund të bëhet për t’iu përgjigjur viktimave të abuzimit dhe për të vazhduar forcimin e përpjekjeve për mbrojtjen e fëmijëve».
Ipeshkvi i Fall River, Edgar da Cunha, kërkoi falje për të mbijetuarit e abuzimit seksual të fëmijëve, duke thënë se «është thellësisht i pikëlluar për incidentet dhe praktikat e së kaluarës, të cilat pasqyrojnë dështimet tragjike në mbrojtjen e anëtarëve tanë më të pambrojtur».
Ipeshkvi i Springfield-it, William Byrne, e cilësoi raportin si «një mësim përulësie». Ai tha se, përpara publikimit të raportit, dioqeza e tij kishte punuar intensivisht për të korrigjuar gabimet e së kaluarës, duke vendosur politika dhe procedura të reja që marrin parasysh traumën e viktimave.
Zbulimet e Boston Globe në vitin 2002 — të cilat më vonë u paraqitën edhe në filmin “Spotlight”, fitues i çmimit Oscar në vitin 2015 — shkaktuan një valë hetimesh në mbarë botën. Këto hetime zbuluan raste të ngjashme në dioqeza të ndryshme dhe nxitën legjislaturën e Massachusetts-it të miratonte një sërë reformash.
Në vitin 2019, Prokurorja e atëhershme e Përgjithshme, Maura Healey (sot guvernatore e Massachusetts-it), nisi një hetim penal ndaj Dioqezave Katolike Romake të Fall River, Springfield dhe Worcester, për të përcaktuar nëse vetë dioqezat ose drejtuesit e tyre mbanin përgjegjësi për mbikëqyrjen e klerikëve që kishin abuzuar me fëmijë.
Campbell, e cila ka deklaruar se edhe ajo vetë ka qenë viktimë e abuzimit nga një i afërm, tha se zyra e saj i referoi tri çështje autoriteteve lokale të prokurorisë gjatë hetimit. Kjo çoi në ngritjen e akuzave në një rast në Worcester.
Ajo sqaroi se zyra e saj nuk ngriti akuza në disa raste, ose sepse veprimet në fjalë nuk ishin të paligjshme në kohën kur ishin kryer, ose sepse kishte kaluar afati ligjor i parashkrimit.
Campbell theksoi se raporti nxori në pah nevojën që dioqezat të ndërmarrin reforma dhe që shteti të miratojë ligje të reja për mbështetjen e viktimave të abuzimit, duke përfshirë heqjen e afatit të parashkrimit për paditë civile që lidhen me abuzimin seksual të të miturve.



