Rama premton se do të nisë kompensimi i bizneseve të dëmtuara, akuzon se “duar të huaja dhe të pista” po shkatërrojnë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar sërish për protestën, duke publikuar pamje nga një biznes i dëmtuar dhe duke premtuar rimbursimin e subjekteve që kanë pësuar dëme gjatë tubimeve. Ai bëri të ditur se do të ngrihen 10 grupe nga Tatimet për të verifikuar dëmet në bizneset e vogla në Tiranë, ndërsa tha se përmes platformës e-Albania do të krijohet një dritare ku subjektet mund të regjistrojnë dëmet dhe të dorëzojnë dokumentacionin përkatës.

Rama u shpreh se qeveria do të ndihmojë bizneset e prekura, ndërsa iu drejtua edhe studentëve që kanë dalë në protestë, duke deklaruar se zëri i tyre do të dëgjohet me respekt. Megjithatë, ai theksoi se nuk do të lejojë që të rrezikohet siguria e qytetarëve.

“Mos kini asnjë merak. Ne do ua bëjmë! Do bëjmë verifikime. Kemi bërë gati një dritare që do të shfaqet sot te E-Albania. Quhet Dëmi im dhe këtu mund regjistroheni, duke dhënë identitetin e personit dhe NIPT-in dhe emailin, telefonin, të dhënat dhe sipërfaqja dhe kompania e sigurimit nëse keni. Më pas do të ngarkoni dokumentet që janë pamjet, bashkë me çdo dokumentacion mbështetës që keni, fatura. Do të shihet dhe raporti që keni me shtetin, pagesat dhe detyrimet. Pasi të bëjmë verifikimet dhe të mbledhin një regjistër të dëmeve, do ju vimë në ndihmë të gjithëve. Prej ditës së sotme, biznesi i vogël që është dëmtuar nga dhuna e dorës qore, ka një dritare për t’u ndihmuar. 10 grupe verifikime nga Tatimet do të jenë në terren për të mbledhur të dhënat mbi biznesin e vogël në Tiranë. Do të jemi bashkë, me ato familje që kanë humbur pasurinë dhe do t’i kthejmë këto gërmalla në sukses. I respektoj studentët, i çmoj si motori i të parës, si shtysën për të ecur përpara. Zëri i tyre, i të rinjve që sot ka nevojë të protestojë, do të dëgjohet me respekt. Por pikërisht se të rinjtë janë e ardhmja jonë, s’do të lejoj që të rrezikohet askush. As për përfitime të atyre duarve të pista që janë kthyer për të shkatërruar, as ato duar të huaja. Përgjegjësia ime është më e qartë në këto orë të vështira. Të mbroj qytetarët tanë, të garantoj drejtësinë bashkë me këtë qeveri të shumicës, që ka të qartë mandatin e saj, atë të Shqipërisë së vitit 2030.”, tha ai.