Kosova ka adresuar kërkesën te Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të diskutuar blerjen e helikopterëve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), ndërsa prioritet në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse do të jetë edhe mbrojtja ajrore. Kështu ka bërë të ditur në një intervistë për Ekonomia Online ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka folur edhe për kërcënimet që, sipas tij, paraqet Serbia për sigurinë e Kosovës dhe rajonit.
Maqedonci tha se kërkesa për helikopterë është adresuar nga komandanti i FSK-së dhe se procedurat për blerjen e tyre zhvillohen përmes programit amerikan FMS, ku përfshihet Departamenti Amerikan i Luftës.
“Kemi prokuruar normalisht edhe dronët, pra fluturaket pa pilot që kemi tri lloje aktualisht në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Fokusi ynë në vazhdim do të jetë mbrojtja ajrore, pra mbrojtja nga sulmet eventuale ajrore, mbrojtja e hapësirës ajrore të Kosovës, dhe për këtë çështje jemi duke koordinuar dhe bashkëpunuar me partnerët tanë amerikanë. Edhe mbështetja ajrore, që nënkupton edhe kjo pjesa e helikopterëve, për të cilën tashmë komandanti i FSK-së ka adresuar kërkesën për SHBA-në, për të diskutuar këtë çështje, sepse kjo blerje bëhet duke aplikuar programin FMS, që nënkupton ne dërgojmë kërkesën në Departamentin e Luftës, të gjitha procedurat e negocimit, prokurimit, edhe procedurat e tjera për blerje zhvillohen nga Departamenti Amerikan i Luftës”, tha Maqedonci.
Ministri i Mbrojtjes foli edhe për armatimin e blerë gjatë viteve të fundit, duke theksuar se FSK-ja ka shtuar llojet e sistemeve të armatimit dhe se po synohet zhvillimi i mëtejshëm i kapaciteteve ushtarake.



