Senatori republikan Ted Cruz ka shprehur shqetësim të thellë për gjendjen politike të Partisë Republikane, pas humbjeve të njëpasnjëshme zgjedhore në Teksas, duke paralajmëruar se partia rrezikon të pësojë disfata edhe më të mëdha në zgjedhjet e ardhshme.
Cruz i ka cilësuar rezultatet e fundit si një “cunami blu”, duke iu referuar fitores së demokratëve dhe humbjes së mbështetjes për republikanët në një prej bastioneve të tyre tradicionale.
“Ky nuk ishte vetëm një valë blu, por një cunami blu”, deklaroi senatori në podkastin e tij Verdict with Ted Cruz, duke e krahasuar rezultatin me reagimin elektoral që republikanët përjetuan pas skandalit Watergate, shkruan Fox News.
Ai pranoi se demokratët kanë arritur fitore të rëndësishme, ndërsa theksoi se tashmë është i vetmi republikan i zgjedhur në nivel shtetëror që ka mbetur në Teksas.
“Unë jam i vetmi republikan i zgjedhur në nivel shtetëror që ka mbetur në Teksas. Kurrë nuk kam menduar se do të më duhej ta thoja këtë”, u shpreh Cruz.
Duke analizuar arsyet e humbjeve, Cruz veçoi pakënaqësinë e qytetarëve për rritjen e kostos së jetesës. Sipas tij, çmimet e ushqimeve, karburanteve, sigurimeve dhe shpenzimet e tjera të përditshme janë kthyer në shqetësime kryesore për votuesit.
Kritika pati edhe për politikat e presidentit Donald Trump. Senatori vlerësoi se tarifat doganore kanë ndikuar në shtrenjtimin e produkteve, ndërsa shprehu shqetësim edhe për zgjatjen e konfliktit me Iranin.
Deklaratat e tij pasqyrojnë pakënaqësinë që po shfaqet brenda vetë Partisë Republikane ndaj disa prej vendimeve të administratës Trump.
Cruz vlerësoi se republikanët po humbin mbështetjen e grupeve të rëndësishme të votuesve, përfshirë punëtorët, të krishterët ungjillorë, banorët e zonave rurale, të rinjtë dhe amerikanët me origjinë hispanike.
Ai theksoi se rezultati nuk lidhet thjesht me pjesëmarrjen në zgjedhje, por me faktin se një pjesë e votuesve republikanë dhe të pavarur nuk i kanë mbështetur kandidatët e partisë.
Duke paralajmëruar për pasojat e këtij trendi, senatori tha se republikanët mund të humbasin nga tetë deri në dhjetë ulëse në Senat.
“Ne do të rindërtohemi si një parti e vërtetë e punëtorëve”, deklaroi Cruz, duke kërkuar që partia të rikthejë mbështetjen e elektoratit tradicional.



