Bien çmimet botërore të ushqimeve në tetor, por sheqeri shënon rritje të ndjeshme
Çmimet ndërkombëtare të ushqimeve shënuan rënie gjatë muajit tetor, pas rritjeve të muajve të mëparshëm. Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), ulja u ndikua kryesisht nga çmimet më të ulëta të drithërave, mishit dhe produkteve të qumështit. Në të kundërt, çmimi i sheqerit shënoi rritje të konsiderueshme.
Indeksi i Çmimeve të Ushqimit i FAO-s arriti në 133.9 pikë në tetor, duke shënuar rënie prej 1.2 për qind krahasuar me muajin shtator. Megjithatë, indeksi mbetet 5.9 për qind më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rënia më e theksuar u regjistrua te drithërat. Indeksi për këtë kategori zbriti me 4.5 për qind, në 116.8 pikë, ndërsa krahasuar me tetorin e vitit 2025 është më i ulët për 12.6 për qind.
Sipas FAO-s, çmimet ndërkombëtare të grurit ranë pas katër muajsh radhazi me rritje. Kjo lidhet me kërkesën më të dobët në tregjet ndërkombëtare, perspektivat më të mira të prodhimit në Argjentinë dhe pritjet për furnizime më të mëdha nga rajoni i Detit të Zi.
Edhe çmimet e mishit shënuan rënie. Indeksi për këtë kategori u ul me 1.2 për qind, duke arritur në 125.5 pikë. Rënia u vërejt te mishi i derrit, deles dhe gjedhit, ndërsa çmimet e mishit të shpendëve mbetën kryesisht të qëndrueshme.
Produktet e qumështit gjithashtu u liruan, me një rënie prej 1.1 për qind të indeksit, i cili arriti në 117.8 pikë. Ulja u ndikua kryesisht nga çmimet më të ulëta të gjalpit dhe djathit.
Sheqeri shtrenjtohet për të katërtin muaj radhazi
Ndryshe nga kategoritë e tjera, sheqeri vazhdoi të shtrenjtohet. Indeksi i çmimeve të tij u rrit me 6.6 për qind në tetor, duke shënuar muajin e katërt radhazi me rritje dhe nivelin më të lartë që nga dhjetori i vitit 2024.
Sipas FAO-s, rritja lidhet kryesisht me vështirësitë në korrjen dhe përpunimin e kallam sheqerit në Brazil, si dhe me shqetësimet për prodhimin në Indi, Bashkimin Evropian dhe Tajlandë.
Ndërkohë, çmimet e vajrave bimore shënuan një rritje të lehtë prej 0.3 për qind.
Të dhënat e FAO-s tregojnë se tregjet ndërkombëtare të ushqimeve vazhdojnë të karakterizohen nga lëvizje të ndryshme të çmimeve, ku rënia e disa produkteve bazë bashkëjeton me shtrenjtimin e kategorive të tjera.
Duhet theksuar se indeksi i FAO-s pasqyron çmimet ndërkombëtare të produkteve bujqësore dhe nuk nënkupton domosdoshmërisht se konsumatorët do të përfitojnë menjëherë nga ulja e çmimeve në tregjet vendore.



