Edhe një herë, raketat ruse kanë paralizuar gjatë natës disa zona të Kievit, por këtë herë sulmi ka shkaktuar një përplasje të ashpër mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky (48 vjeç) dhe kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko (55 vjeç). Zelensky akuzon qytetin se nuk ishte përgatitur siç duhet për sulmin. Klitschko kundërpërgjigjet me tone të ashpra, duke e akuzuar presidentin për “manipulim” dhe përhapje të “gënjeshtrave”.
Ndërkohë, situata në qytetin me tre milionë banorë është serioze: pas sulmeve ruse, banorët dhe bizneset po përballen me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë, ndërsa është prekur edhe sistemi i ngrohjes qendrore. Rreziku i një krize të rëndë energjetike po bëhet gjithnjë e më i madh.
Gjatë një sulmi të ri me raketa, u dëmtua gjithashtu Ura e Veriut mbi lumin Dnipro, e cila u mbyll përkohësisht. Sipas të dhënave të Klitschko-s, në Kiev mbetën të plagosur pesë persona. Zelensky deklaroi se Rusia kishte lëshuar gjatë natës 36 raketa drejt Kievit dhe zonave përreth.
Zelensky: Vendimet “nuk u zbatuan”
Por, në vend që të ketë unitet përballë sulmeve ruse, përplasjet politike në Kiev po thellohen. Zelensky fajësoi gjithashtu “vendimet e pazbatuara në nivel bashkiak për përgatitjet ndaj sezonit të ngrohjes” për problemet me furnizimin.
Me fjalë të tjera, presidenti pretendon se Klitschko nuk e ka përgatitur qytetin për sulmet!
Kryebashkiaku i Kievit i ka hedhur poshtë këto akuza dhe e ka kthyer përgjigjen ndaj presidentit. Sipas tij, përfaqësuesit e qytetit thjesht nuk ishin ftuar në mbledhjet e krizës të thirrura nga Zelensky. Sipas Reuters, Klitschko ankohet gjithashtu se qeveria qendrore po vonon miratimin e një plani emergjence për Kievin.
Klitschko: Presidenti nuk e njeh situatën reale
Kryebashkiaku reagoi veçanërisht ashpër ndaj akuzave se Kievi nuk ishte përgatitur mjaftueshëm.
“E gjithë kjo duket e neveritshme në raport me banorët e kryeqytetit”, shkroi Klitschko.
Sipas tij, me këto akuza po zhvlerësohet edhe puna e ekipeve të shpëtimit, të cilat “duke rrezikuar jetën e tyre dhe nën zjarrin e sulmeve, punojnë 24 orë në ditë, duke bërë praktikisht të pamundurën”.
Klitschko vuri gjithashtu në pikëpyetje njohuritë e Zelenskyt mbi “situatën reale të furnizimit me energji”.
Kievi është pjesë e rrjetit të përbashkët energjetik të Ukrainës, argumentoi kryebashkiaku. “Dhe nëse ky rrjet shkatërrohet në të gjithë vendin, nuk mund të ndodhë që në disa vende të ketë ende drita, ndërsa Klitschko t’i ketë fikur të gjitha në vende të tjera”.
Përplasja mes dy politikanëve ka vijuar prej vitesh. Ata kanë akuzuar vazhdimisht njëri-tjetrin për tejkalim të kompetencave. Megjithatë, konflikti mes tyre rrallëherë ka qenë kaq i ashpër sa tani.



