Putin: Të martën nisin bisedimet për Ukrainën

Presidenti rus Vladimir Putin konfirmoi se raundi i ardhshëm i bisedimeve trepalëshe mes Rusisë, SHBA-ve dhe Ukrainës për arritjen e një marrëveshjeje paqeje pritet të nisë të martën e ardhshme në Abu Dhabi.

Gjatë një takimi me anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Putin bëri të ditur se ka udhëzuar anëtarët e delegacionit rus përpara nisjes drejt kryeqytetit të Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Çështja kryesore e takimit tonë është garantimi dhe forcimi i sigurisë ushqimore të Rusisë. Megjithatë, siç e dini, bisedimet trepalëshe për Ukrainën pritet të nisin të martën e ardhshme në Emiratet e Bashkuara Arabe. I jemi mirënjohës udhëheqjes së Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila na ka ndihmuar vazhdimisht në kërkimin e një zgjidhjeje për krizën ukrainase dhe ka ndihmuar në zgjidhjen e çështjeve humanitare që lidhen me shkëmbimet humanitare”, tha Putin.

Mediat shtetërore ruse, TASS dhe RIA Novosti, raportojnë se negociatat do të zgjasin dy ditë.

Sipas të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve, Steve Witkoff, në qendër të diskutimeve do të jenë garancitë e sigurisë, ulja e tensioneve, çështjet humanitare dhe hapat konkretë drejt ndalimit të luftës.

Kremlini konfirmoi pjesëmarrjen zyrtare në këtë takim, ndërsa delegacioni rus do të kryesohet nga këshilltari i presidentit Putin, Vladimir Medinsky.