Sot është Dita Evropiane e Viktimave të Totalitarizmit

217

Ky libër në frëngjisht dhe kjo bluzë e qëndisur me dorë….ishin objekte që i përkisnin shkencëtares Sabiha Kasimati.

Një prej mijëra viktimave të komunizmit, e pushkatuar se preferoi shkencën para partisë… me akuzën e stisur se mori pjesë në atentatin me bombë kundra ambasadës sovjetike.

Në fatin e një njeriu kryqëzohen fate kombesh. Ajo është një prej mijëra viktimave të komunizmit në Shqipëri dhe një prej miliona fateve që regjimet totalitare (nazizmi dhe stalinizmi) shkërmoqen gjatë dhe pas luftës së dytë botërore.

Pikërisht në përkujtim të viktimave 23 Gushti është përcaktuar si Dita Evropiane e Viktimave të Nazizmit e të Stalinizimit që dënon çdo formë të totalitarizmit.

Dita e Fjongos së Zezë, siç njihet ndryshe, është përkujtuar për herë të parë edhe në Tiranë me një simpozium të organizuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar. Dialogu dhe reflektimi duhet të kalojnë tashmë në fazën tjetër atë të deklasifikimit të dosjeve.

“Kjo është e nevojshme që ktë iniciativë europiane ta adoptojmë edhe në shqipëri dhe për ktë arsye patën ktë simpozium shkencor sot. Deri tani ne kemi bërë një punë gjurmuese të shikojmë se ku janë dokumentat, kemi verifikuar hartën e vendodhjes së dokumentave, listën e materialeve që presim të marrim. Një pjesë e mirë e tyre është e papërpunuar, një pjesë e mirë e tyre është ende sekrete, arkiva është e padeklasifikuar kështu që ka qënë e vështirë për njerëzit, për historianët, për aktivistët e memories që të njihen me faktet” theksoi drejtoresha e AIDSSH Gentiana Sula. Kjo ditë u zgjodh për të përkuar me 23 gushtin 1938, ditën kur u nënshkrua pakti Molotov-Ribentrop ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë Naziste.

Ditën e 23 gushtit Parlamenti Evropian e zgjodhi pikërisht për të propozuar një Ditë Evropiane në kujtim të viktimave të regjimeve totalitare, pa bërë kurrfarë dallimi ndërmjet tyre.

Comments