Skandal me pronat komunale në Prishtinë, arrestohet zyrtari që dyshohet se ia kaloi tri prona një qytetari

Një zyrtar i Komunës së Prishtinës është arrestuar nën dyshimin për falsifikim dokumentesh dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, pasi dyshohet se ka mundësuar regjistrimin e tri pronave komunale në emër të një qytetari.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti lidhet me periudhën 2022–2023, ndërsa arrestimi është kryer më 11 nëntor 2026 nga njësia për hetimin e falsifikimit të dokumenteve, me autorizim të prokurorit.

I dyshuari, zyrtar komunal, dyshohet se kishte vërtetuar dokumente të falsifikuara, përmes të cilave një qytetar kishte arritur të regjistronte tri prona komunale në emrin e tij.

“Me datë 11.11.2026 DHKEK, njësia për hetimin e falsifikimit të dokumenteve, me autorizim të prokurorit kanë arrestuar të dyshuarin mashkull kosovar, zyrtar komunal i Prishtinës, me dyshimin e bazuar se i njëjti kishte vërtetuar dokumente të dyshuara duke mundësuar që i dyshuari mashkull kosovar të regjistrojë tri prona komunale në emrin e tij”, thuhet në raportin e Policisë.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, zyrtari është dërguar në mbajtje.

Deri më tani, Policia nuk ka bërë të ditur se ku ndodhen pronat e përfshira në rast, sa është vlera e tyre dhe nëse ato janë kthyer në pronësi komunale.

Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë në këtë rast.