Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka thënë se në raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm për Qendrën për Punë Sociale në Pejë lidhur me trajtimin e rastit të të ndjerës Arlinda Zekaj ka gjetur shkelje të shumta.
Siç bëhet e ditur në një postim në faqen e tyre zyrtare në Facebook, raporti konstaton mosrespektim të afatit gjyqësor, neglizhencë në përmbushjen e detyrave, mosveprim sipas detyrës zyrtare dhe mungesë të mbikëqyrjes profesionale.
Në raport janë gjetur dorëzimi i raportit në Gjykatë jashtë afatit shtatëditor, të përcaktuar me aktvendimin e datës 24.09.2026. Raporti është dorëzuar më 05.10.2026.
“Neglizhencën në përmbushjen e detyrave të punës, përkatësisht mungesën e pajustifikuar të menaxheres së rastit në seancën gjyqësore të datës 05.10.2026. Mosrealizimin e monitorimit që kërkohej sipas detyrës zyrtare pas pranimit të aktvendimit gjyqësor të datës 07.09.2026, pavarësisht se QPS-ja kishte përgjegjësi për të vepruar edhe pa detyrime të posaçme të përcaktuara nga Gjykata. Moszbatimin e procedurave standarde të menaxhimit të rastit: mosplotësimin e formularit për kontaktet dhe punën në rast, si dhe moshartimin e Planit Individual të Shërbimeve. Mungesën e mbikëqyrjes profesionale nga udhëheqësi i Shërbimeve Sociale mbi punën dhe përmbushjen e detyrave të menaxheres së rastit, në kuadër të përgjegjësisë së tij për monitorimin e punës së zyrtarëve profesionalë dhe organizimin dhe funksionimin e Shërbimit Social në QPS Pejë”, thuhet në komunikatë.
Për këto shkelje, bëhet e ditur se Divizioni i Inspektimit i ka rekomanduar Kryetarit të Komunës së Pejës ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj menaxheres së rastit, T. G., dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale, D. K., sipas përgjegjësive të tyre dhe procedurave ligjore.
Siç theksohet Raporti i rekomandon gjithashtu Kryetarit të Komunës rritjen urgjente të kapaciteteve të stafit profesional të licencuar, duke pasur parasysh pamjaftueshmërinë e stafit në raport me vëllimin e përgjegjësive dhe territorin që mbulon QPS Pejë.
Gjithashtu është kërkuar edhe ndërmarrja e hapave të menjëhershëm për zhvendosjen e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, përkatësisht drejtoreshës A. B., për të mundësuar punën e pavarur profesionale të QPS-së dhe ndarjen e qartë të detyrave, përgjegjësive dhe funksioneve ndërmjet dy institucioneve.
Ndërkaq për Qendrën për Punë Sociale raporti ka rekomanduar që menaxheri i rastit dhe kujdestari ligjor të sigurojnë mbikëqyrje të vazhdueshme dhe vizita të rregullta monitoruese për fëmijën e vendosur në strehimore, duke vlerësuar gjendjen shëndetësore, psikosociale dhe përshtatjen e tij, si dhe duke dokumentuar shërbimet e ofruara. Gjithashtu që QPS-ja të koordinojë shërbimet me institucionet përkatëse, bazuar në nevojat dhe planin individual të shërbimeve për fëmijën.
“Të kërkojë nga Drejtoria për Mirëqenie Sociale zhvillimin e procedurave për rritjen e stafit profesional të licencuar. Zyrtarët e Shërbimit Social të përdorin të gjithë formularët standardë të menaxhimit të rasteve. Të vlerësohen nevojat për trajnim dhe ritrajnim të stafit për zbatimin e legjislacionit, procedurave standarde dhe standardeve minimale, me theks të veçantë në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Kërkojmë nga Komuna e Pejës trajtimin pa vonesë të rekomandimeve dhe njoftimin zyrtar të Ministrisë për veprimet e ndërmarra. Ministria do të monitorojë zbatimin e rekomandimeve nga ana e Komunës së Pejës”, thuhet në njoftim.



