Qeveria e Mickoskit dhe VLEN-it po përpiqet ta mjegullojë të vërtetën për Alta Bankën, duke përzier vendime të viteve të ndryshme dhe çështje që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Por dokumentet zyrtare flasin qartë. Prandaj, sot do t’ua paraqesim qytetarëve kronologjinë, me data dhe vendime konkrete, që secili të mund të gjykojë vetë se çfarë ka ndodhur.
Së pari, më 24 tetor 2023, Qeveria e atëhershme mori një vendim për mbrojtjen e aksioneve që Maqedonia e Veriut i kishte trashëguar nga procesi i sukcesionit të ish-Jugosllavisë, në një bankë të mëparshme jugosllave, e cila ndërkohë ishte blerë nga Alta Banka e Beogradit. Sipas legjislacionit serb, kur një aksionar zotëron mbi 90% të aksioneve, mund t’i marrë edhe aksionet e mbetura pa pëlqimin e aksionarëve të vegjël. Por, edhe përkundër kësaj mundësie ligjore, Qeveria jonë nuk qëndroi duarkryq. Përkundrazi, e angazhoi Avokaturën Shtetërore të na përfaqësonte në Serbi, për të mbrojtur deri në fund interesat dhe pronën e shtetit. Ky ishte qëllimi i vetëm i vendimit të vitit 2023. Nuk kishte asnjë lidhje me hyrjen e Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut apo me blerjen e Stopanska Bankës në Manastir.
Së dyti, në vitin 2025, gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, fillon procesi konkret për marrjen e Stopanska Bankës në Manastir nga Alta Banka e Beogradit. Më 1 shtator 2025, Banka Popullore jep pëlqimin paraprak për pjesëmarrje të kualifikuar. Më 10 shtator, Komisioni i Letrave me Vlerë, me vendimin numër 10-69, i jep Alta Bankës lejen për ofertën e marrjes në kontroll të Stopanska Bankës. Dhe shikojeni mirë këtë dokument: vendimi mban emrin e kryetares së Komisionit, Bujare Abazi, kuadër i VLEN-it. Kjo është leja zyrtare për ofertën e marrjes në kontroll, e botuar në Gazetën Zyrtare më 22 shtator 2025. Pra, flasim për dokument zyrtar me emër dhe datë.
Së treti, më 23 shtator 2025, Qeveria e Mickoskit, me propozim të ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, miraton përfundime konkrete lidhur me ofertën e Alta Bankës. Përmes tyre, 16 institucione publike udhëzohen të shqyrtojnë pranimin ose refuzimin e ofertës për aksionet që posedojnë, ndërsa për pranimin kërkohen deklarata me shkrim brenda afatit të përcaktuar. Pra, Qeveria nuk ishte spektatore. Ajo e futi ofertën e Alta Bankës në procedurat e veta dhe mobilizoi institucionet publike për ta trajtuar atë.
Së katërti, në tetor 2025, oferta e Alta Bankës për marrjen e Stopanska Bankës rezulton e suksesshme. Në dhjetor, Stopanska Banka merr emrin Alta Banka. Pra, të gjitha vendimet kyçe për këtë proces – pëlqimi bankar, leja për ofertën me emrin e Bujare Abazit dhe veprimet e Qeverisë lidhur me aksionet publike – ndodhën gjatë mandatit të Qeverisë aktuale. Kjo kronologji nuk mund të ndryshohet me deklarata politike.
Prandaj, sot kërkojmë përgjigje nga Mickoski dhe ministrat e VLEN-it: Kush e kontrolloi prejardhjen e kapitalit? Çfarë verifikimesh u bënë për pronarët e bankës? Pse Qeveria u përfshi në trajtimin e ofertës nga institucionet publike dhe çfarë vendosën konkretisht ato? Çfarë përgjegjësie mban secili institucion, përfshirë Komisionin e drejtuar nga Bujare Abazi, për vendimet që ka marrë? Qytetarët meritojnë dokumentet dhe përgjigjet, jo përpjekje për ta zhvendosur përgjegjësinë te një vendim i vitit 2023 që kishte krejt tjetër qëllim.
Rrena i ka këmbët e shkurtra. Dokumentet mbeten!



