Vetëm pak ditë pas kaosit në aeroportet amerikane, një tjetër problem serioz ka alarmuar autoritetet në Shtetet e Bashkuara. Rrjeti i brendshëm i komunikimit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA) ka pësuar ndërprerje, duke vështirësuar shkëmbimin e informacioneve të klasifikuara mes punonjësve të saj.
Sipas CNN, e cila citon gjashtë persona të njohur me situatën, ndërprerja ka prekur NSA Net, rrjetin e brendshëm përmes të cilit personeli i agjencisë komunikon dhe shkëmben informacione të nivelit më të lartë të klasifikimit.
Autoritetet përkatëse janë duke hetuar shkaqet e problemit dhe po përpiqen të përcaktojnë përmasat e ndërprerjes. Deri më tani, sipas burimeve të cituara nga CNN, nuk ka prova që tregojnë se problemi është shkaktuar nga një sulm kibernetik.
Përballë kësaj situate, NSA ka aktivizuar masa të përkohshme për menaxhimin e krizës, ndërsa ka vendosur edhe një sistem të hyrjes së shkallëzuar të personelit në punë.
Megjithatë, ende nuk dihet se sa punonjës janë prekur nga ndërprerja, sa e gjerë është defekti dhe kur pritet të rikthehet plotësisht funksionimi i rrjetit.
Rasti ka ngritur shqetësime për funksionimin e infrastrukturës së komunikimit të agjencisë amerikane të inteligjencës, veçanërisht për shkak të rolit që NSA ka në sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara.



