I pamëshirshëm dhe brutal: Gazeta zvicerane shpalos detaje të krimit që Rrahman Hoti kreu më 2011

Rrahman Hoti, i dyshuari për vrasjen e 59-vjeçarit Sylë Daka të mërkurën në Suharekë, ishte dënuar me 19 vjet burgim për një krim brutal të kryer në Zvicër më 2011, shkruajnë sot mediat zvicerane.

Gazeta digjitale “20minuten” raporton sot se burri i dyshuar për vrasjen e të mërkurës në Suharekë, kishte vuajtur 13 nga 19 vitet e dënimit me burgim në Zvicër.

Sipas gazetës zvicerane, nuk është e qartë sesi ai kishte arritur të rikthehet në Kosovë këtë vit.

Më 8 nëntor 2011, Hoti i kishte zënë pritën gruas së tij pranë vendit të saj të punës në qytetin St. Gallen.

Ai e kishte përplasur gruan me makinën e tij. Pastaj kishte nxjerrë një shufër hekuri nga bagazhi dhe e kishte goditur viktimën disa herë në kokë me forcë të madhe. Gruaja, kishte vdekur menjëherë.

Motivet e tij ishin zemërimi, hakmarrja dhe fyerja e perceptuar ndaj nderit të tij.

Vlerat tradicionale kosovare dhe Kanuni kishin luajtur një rol në këtë motiv, edhe pse kosovari kishte jetuar në Zvicër për më shumë se 20 vjet.

Ai, në Gjykatë, kishte këmbëngulur se nuk kishte planifikuar të vriste gruan e tij. Kishte thënë se ishte në kulmin e zemërimit sepse gruaja kishte filluar një lidhje të re me një burrë turk. Ai kishte pretenduar se burri turk ishte pjesërisht fajtor për atë që kishte ndodhur.

Avokati i vajzës dhe djalit të të pandehurit kishin kërkuar 75,000 franga zvicerane dëmshpërblim për secilin prej dy adoleshentëve. Dy fëmijët kishin uruar që babai i tyre të burgosej sa më gjatë që të ishte e mundur.

I pandehuri ishte i papunë në kohën e krimit dhe merrte pension invaliditeti. /Paparaci.com