Një dron rus ka hyrë për pak çaste në hapësirën ajrore të Polonisë gjatë një sulmi të Rusisë ndaj Ukrainës fqinje, njoftoi sot ushtria polake. Zëvendësministri i Mbrojtjes i Polonisë, Pawel Zalewski, deklaroi se dyshon që kjo nuk ishte një ngjarje e rastësishme, por një veprim i qëllimshëm nga Moska.
Incidenti vjen vetëm pak ditë pasi autoritetet polake njoftuan se tre raketa ruse të tipit Kh-101 kishin rënë në territorin e vendit, të premten. Këto zhvillime kanë shtuar shqetësimet se lufta e Rusisë kundër Ukrainës mund të shtrihet edhe në territorin e NATO-s.
Sipas ushtrisë polake, fillimisht ishte dhënë autorizimi për rrëzimin e dronit, por në momentin kur mjeti fluturues ndryshoi drejtim dhe u nis nga lindja, autoritetet vendosën të mos hapnin zjarr. Vendimi u mor për të shmangur rrezikun e dëmtimit të civilëve në tokë, pasi rrëzimi i tij mund të kishte shkaktuar pasoja për popullsinë.
“Është e vështirë të imagjinohet që kjo të jetë një rastësi, ndaj ne supozojmë se ishte një veprim i qëllimshëm”, deklaroi Zalewski në një intervistë për radion private RMF FM.
Ndërkohë, NATO do të dërgojë në Poloni një avion të sistemit AWACS për paralajmërimin e hershëm dhe monitorimin ajror, si pjesë e reagimit të Aleancës pas incidentit me raketat ruse. Lajmi u bë i ditur të hënën nga vetë Zalewski.
Zhvillimet e fundit kanë rritur vigjilencën e autoriteteve polake, ndërsa Varshava po shqyrton rrezikun e përhapjes së konfliktit përtej kufijve të Ukrainës dhe drejt territorit të vendeve anëtare të NATO-s.


