Skandali financiar trondit Turqinë, kërkohet reformim rrënjësor i institucioneve rregullatore

Turqia duhet të ndërmarrë një reformë të thellë në institucionet e saj rregullatore financiare, pas një skandali me fondet e investimeve që ka tronditur besimin në tregjet e kapitalit të vendit.

Në qendër të krizës janë disa grupe fondesh investimi, të cilat drejtuan shuma të mëdha parash drejt aksioneve me qarkullim të ulët në bursë. Kjo strategji rriti artificialisht vlerën e aseteve të tyre në mbi 20 miliardë dollarë dhe gjeneroi fitime jashtëzakonisht të larta. Megjithatë, fondet përfunduan në krizë pasi nuk arritën të përballonin kërkesat e investitorëve për tërheqjen e parave, duke çuar në likuidimin e tyre.

Që prej muajit shtator, kriza ka përfshirë edhe zyrtarë rregullatorë dhe figura të njohura të sektorit financiar. Në kuadër të hetimeve për manipulim të tregut, mashtrim dhe ryshfet janë regjistruar dorëheqje, shkarkime dhe arrestime, duke dëmtuar më tej besimin e investitorëve në tregjet financiare turke.

Sipas “Reuters”, Bordi i Tregjeve të Kapitalit të Turqisë (SPK) kishte miratuar 33 oferta publike fillestare (IPO) gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, pothuajse dyfishi i 18 ofertave të miratuara gjatë gjithë vitit paraardhës.

Megjithatë, pas kolapsit të fondeve, përkeqësimit të kushteve të tregut dhe rënies së besimit të investitorëve, nuk është miratuar asnjë ofertë e re publike. Kjo situatë vijon pavarësisht se 119 kompani janë të regjistruara dhe presin miratimin e SPK-së për të dalë në bursë.

Rikthimi i besimit duhet të nisë me emërimet e duhura në drejtimin e institucioneve, deklaroi për Reuters Ramazan Basak, ish-zëvendëskryetar i Bordit të Hetimit të Krimeve Financiare të Turqisë. “Këto institucione duhet të drejtohen nga njerëz që e njohin mirë sektorin, gëzojnë reputacion për integritet dhe nuk kanë lidhje politike”, u shpreh ai.