Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, sot në Tiranë mori pjesë në Samitin e Liderëve për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ku u diskutua për rezultatet e reformave dhe prioritetet e reja të integrimit evropian, përcjell TV21. Siç njoftoi Ministria për Çështje Evropiane, gjatë fjalimit në konferencë, Sali theksoi se Maqedonia e Veriut ka siguruar 142.1 milionë euro përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje.
Në kuadër të kërkesës së katërt për pagesë janë paraqitur 22 hapa reformues, me vlerë bruto të vlerësuar prej mbi 112 milionë eurosh, të cilat presin vlerësimin e Komisionit Evropian.
Deri në shtator të vitit 2026, përmes Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) janë realizuar mbi 581 mijë transaksione, me kursime të vlerësuara në mbi 5 milionë euro.
Sali theksoi rëndësinë e kornizës së propozuar në komunikatën e Komisionit Evropian “Preparing for a Wider Union”, e cila parasheh një integrim gradual më të strukturuar dhe më të parashikueshëm, përmes përfshirjes më të hershme në politikat, programet, agjencitë dhe strukturat operative të BE-së, pas përmbushjes së kushteve përkatëse.
Ai shprehu gatishmërinë e vendit për dialog me Komisionin Evropian, me qëllim identifikimin e mundësive konkrete për integrim sektorial.
Në fokus të diskutimeve ishin edhe modernizimi i pikave kufitare, integrimi në zinxhirët evropianë të furnizimit, digjitalizimi dhe vazhdimësia e mbështetjes financiare evropiane pas vitit 2027. Sali përsëriti se integrimi gradual duhet ta forcojë procesin e anëtarësimit, ndërsa anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian mbetet qëllimi strategjik i vendit.


