Kreu i LVV’së, Albin Kurti, në konferencën e sotme të mbajtur në Qeveri është pyetur edhe për 15 nënshkrimet e prezantuara nga kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe për kandidaturën e Vjosa Osmanit.
Kurti ka thënë se kreu i LDK’së pa treguar se për kë janë ato 15 nënshkrime, po ia kërkon garancën për 66 votat në kuti, në një proces të fshehtë votimi.
“Kryetari i LDK’së s’tregon se për kë i ka 15 nënshkrime, por thotë a mi garanton mua 66 vota në kuti që janë të fshehura, sepse votimi është i fshehtë. Pra 15 nënshkrime, pa emër të përveçëm sipër, me datën e pardjeshit, ua tregon juve dh jo mua dhe thotë a mi garanton 66 vota në kuti”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, një gjë e tillë s’është e logjikshme dhe as serioze. Kurti thotë se LDK po e përfol emrin, por nuk ia kanë dhënë vulën e Kryesisë.
“Është totalisht e palogjikshme. Nuk është serioze. Kush dëshiron të bashkëpunojë me ne, duhet ta sjell listën me 15 nënshkrime dhe emrin për kandidat të LDK’së. Dhe ia shtoj edhe 15 nënshkrime të tjera dhe flas me zonjën Hatixhe Hoxha. Po e përfolin emrin, pa ia dhënë vulën e Kryesisë së LDK’së. Le të mban Kryesia e LDK’së mbledhje dhe lë të tregojnë se për çfarë janë ato nënshkrime. Unë s’përcaktoj se kush do të jetë kandidati i LDK’së”, ka thënë Kurti.

