Interex kapet duke incizuar me kamerë klientët në zhveshtore, gjobitet 8 mijë euro nga AIP

Mediumi Veriu.info ka raportuar se kompania Proex Sh.P.K., e cila ka në pronësi rrjetin e supermarketeve Interex në Kosovë është gjobitur nga Agjencia për Informim dhe Privatësi me 8 mijë euro gjobë.

Sipas vendimit që ky medium ka siguruar, thuhet se gjoba prej 8 mijë eurove nga AIP ka ardhur si pasojë e një ankese lidhur me një çështje në pikën e Interex në Gjilan, përkatësisht në njësinë e marketit me numër 5343984 të kompanisë Proex Sh.P.K, është instaluar sistemi i vëzhgimit me kamerë, ku njëra nga kamerat është vendosur në pozicion që mund të përfshijë pamjen e brendshme të kabinës, e cila është e dedikuar për të provuar rroba nga klientët.

Në arsyetimin e vendimit të AIP bëhet e ditur se pala me rastin e ankesës ka treguar se kabina është e hapur nga lart, çka mundëson regjistrimin me kamera, duke i bashkëngjitur ankesës edhe fotografi nga vendndodhja e kamerës në fjalë.

Pas pranimit të ankesës, zyrtarët e AIP më 26.02.2025 kanë realizuar inspektim, ku është konstruar se kamera numër 17 merr pamje nga zhveshtorja, kryesisht pjesën e kokës së klientit.

“Nenin 78, paragrafi 3, i LMDhP-së, ka përcaktuar se vëzhgimin me kamerë ndalohet në hapësirat jashtë vendit të punës, veçanërisht në dhoma të ndërrimit, ashensorë, hapësira sanitare dhe në hapësira pune me potencial të shkeljes së privatësisë së të punësuarve. Një individ që ndodhet në një kabinë prove ka të drejtën të ndiejë se po gëzon një nivel të garantuar të privatësisë, që është e paprekshme dhe e pamundësuar për t’u cenuar nga ndonjë formë vëzhgimi. Kabinat e provës janë të vendosura pikërisht për t’u ofruar individëve mundësinë për të provuar rroba pa pasur frikë se mund të jenë të ekspozuar ndaj vështrimeve të huaja. Vendosja e sistemi të vëzhgimit me kamera, të instaluar nga kontrolluesi përballë një kabine prove e cila është e hapur nga lartë dhe shihet koka e personit i cili gjendët në kabinë, ngre shqetësime të konsiderueshme mbi mbrojtjen e privatësisë. Ky veprim, konsiderohet si një shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtës së individëve për privatësi”, thuhet në vendimin e AIP.

Tutje në vendim thuhet se “Proex” Sh.P.K (Interex, njësia 5343984 – Gjilan), njësia në cilësinë e kontrolluesit, ka përpunuar të dhëna personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë në kundërshtim me nenin 4, nenin 5 dhe nenin 78 paragrafin 3 të LMDhP-së.

Pas inspektimit, AIP me vendim ka urdhëruar kompaninë “Proex” Sh.P.K (Interex) të bëjë largimit e sistemit të vëzhgimit me kamerë që janë vendosur përballë kabinës provuese të rrobave.

Veriu.info ka tentuar të marrë një qëndrim nga “Proex” Sh.P.K (Interex) për këtë vendim të AIP, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka pranuar përgjigje për pyetjet e dërguara.

Ndryshe, në kompaninë Proex Sh.P.K. që ka në pronësi rrjetin e marketeve Interex, 100% të aksioneve i zotëron kompania CDI -Kosovo L.L.C.. Në kompaninë CDI -Kosovo L.L.C. pronar me 93% të aksioneve është biznesmeni Shaip Mikullovci, ndërsa 7% të aksioneve i zotëron Ylber Kuraja.

By admin7