Pesë subjekte politike shqiptare kanë vendosur të bashkohen në një trup të vetëm politik nën emrin VLEN, duke shpallur një fazë të re të organizimit dhe veprimit në skenën politike.
Në një komunikatë për opinionin, VLEN thekson se “ka përfunduar koha kur politika shqiptare trajtohej si pronë private e një klike të korruptuar”, duke kritikuar ashpër modelet e deritanishme të udhëheqjes politike që, sipas tyre, kanë vepruar në interes të një grupi të ngushtë individësh.
Nga ky subjekt i ri politik vlerësojnë se ndryshimi vjen si rezultat i refuzimit qytetar ndaj “strukturave të konsumuara, patriotizmit të rremë dhe mashtrimeve politike”, që sipas tyre kanë dominuar për vite me radhë.
“Pesë subjekte politike bëhen një. VLEN NJË!”, thuhet në komunikatë, duke nënvizuar se bashkimi synon krijimin e një force të organizuar dhe të disiplinuar që do të përfaqësojë interesat e shqiptarëve dhe do të mbyllë epokën e fragmentimeve dhe përçarjeve politike.
VLEN deklaron se programi i saj do të bazohet në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit me zero tolerancë, pavarësinë e gjyqësorit, orientimin drejt Bashkimit Evropian dhe partneritetin me NATO-n, si dhe në mbrojtjen e familjes, traditës dhe identitetit kombëtar.
Në fund të komunikatës, subjekti i ri politik thekson se ky zhvillim përbën “lajm të keq për ata që e kthyen politikën në biznes dhe shtetin në plaçkë”, duke shtuar se “VLEN po vjen”.

