Italia dhe Portugalia të gatshme të pezullojnë EES-në

Portugalia dhe Italia janë destinacionet e ardhshme popullore turistike që pritet të pezullojnë përkohësisht kontrollet e reja të diskutueshme kufitare të BE-së për të shmangur kaosin gjatë pushimeve të ardhshme shkollore. Ekspertët e udhëtimit besojnë se kjo do t’i kursejë turistët britanikë nga vështirësitë e shkaktuara nga zbatimi kaotik i sistemit të ri, shkruan Daily Mail.

​Greqia tashmë ka pezulluar përkohësisht rregullat e reja të Sistemit të Hyrjes/Daljes për turistët britanikë deri në shtator, pasi zbatimi i tyre shkaktoi turma të mëdha dhe vonesa. Megjithatë, edhe pse aktualisht nuk ka një vendim zyrtar për pezullimin e plotë të tij, pritet që Greqia të zbatojë rregullime praktike të përkohshme gjatë muajve të verës edhe për Serbinë, me qëllim që të zvogëlohen kolonat në kufij.

​Konsullja e Përgjithshme e Serbisë në Selanik, Jelena Vujiç Obradoviç, deklaroi se, megjithëse nuk ekziston një dokument zyrtar për pezullim, ekzistojnë siguri dhe marrëveshje joformale për lehtësimin e zbatimit gjatë periudhës së trafikut më të madh turistik. Sipas deklaratave të saj, në periudhën nga 1 qershori deri më 30 gusht, pritet që sistemi të zbatohet në mënyrë fleksibile për shtetasit serbë, veçanërisht në orët me fluksin më të madh të udhëtarëve.

​Gjithashtu, Oda Turistike pranë Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë i ka dërguar kërkesë Ministrisë së Turizmit të Greqisë për shtyrjen e përkohshme të zbatimit të sistemit për shtetasit e Maqedonisë në periudhën nga 1 qershori deri më 1 shtator 2026.

By admin3