Alarm në Estoni! Dronë hyjnë në hapësirën ajrore të vendit, NATO ngre avionët luftarakë

Tensionet në Evropën Lindore vijojnë të rriten për shkak të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Disa dronë shkaktuan një alarm për sulm ajror në Letoni gjatë natës dhe më pas hynë në hapësirën ajrore të Estonisë, sipas raportimeve të transmetuesit publik estonez ERR.

Pas hyrjes së dronëve në territorin estonez, avionët luftarakë të NATO-s nga Misioni i Patrullës Ajrore Baltike u ngritën në ajër për të monitoruar situatën.
Forcat e Mbrojtjes së Estonisë njoftuan se rreth orës 03:00 të mëngjesit u aktivizua alarmi për kërcënim ajror në disa zona të vendit. Nënkoloneli Uku Arold, drejtues i Departamentit të Komunikimit Strategjik të Forcave të Mbrojtjes Estoneze, deklaroi se dronët kishin lëvizur paralelisht me kufirin lindor të Estonisë dhe Letonisë, përpara se të hynin në hapësirën ajrore estoneze.

Në përgjigje të situatës, avionët luftarakë të Forcave Ajrore Turke, të vendosur në bazën ajrore Ämari në Estoni në kuadër të misionit të NATO-s për mbrojtjen ajrore, u ngritën për ndërhyrje.

Alarmi ajror u hoq para orës 06:00. Ministri i Jashtëm estonez Margus Tsahkna tha se NATO reagoi sipas procedurave të parashikuara dhe se aleanca mbetet në gatishmëri për mbrojtjen e territorit të vendeve anëtare.

By admin7