Mbi fitoren e lavdishme të Skënderbeut tek ujët e bardhë – Albulena

Epopeja skënderbegiane pas betejës së Ujëbardhës mori jehonë ndërkombëtare, lëkundjet e zotërve feudalë u mënjanuan, pushteti i Skëndërbeut me politikën e përqendruar vendoste Arbërinë në rend të parë në luftën antiosmane nga vendet e Ballkanit gjë që dëshmohet edhe prej letrave të dërguara nga kancelaritë e Mbretërive Evropiane si dhe Republikat Italiane

Nga Dardan EMINI

Rendi mesjetar feudal do të zhvillohet në Arbëri njëtrajtshëm si në vendet e Evropës mesjetare, fillimi i luftës çlirimtare prej Skënderbeut, dhe vazhduar me formimin e Lidhjes se Lezhës, në vitin 1457 e gjen Arbërinë në rrethana tjera politike, Skënderbeu kish krijuar substratin e Mbretërisë Arbërore duke përqendruar pushtetin me çka në burimet e kohës dëshmohet si ”Zot i krahinave të Arbërisë”, për rrjedhojë njëzëri kronistët e huaj si Fallmerayer, Jorga, Halkokondili e shqiptarë Barleti, Noli, Gegaj shënojnë për lëkundjen e tradhtinë e nipit nga vëllai i Skënderbeut Reposhi, Hamzai gjithmonë sipas kronistëve dhe studiuesve duhet të ketë pritur trashëgiminë e fronit të Arbërisë, proces që nuk ka ndodhur për shkak se në vitin 1455 Skënderbeu trashëgohet me djalë.

Në kronikat e kohës hasen gjurmë të të dërguarve që kryenin shërbime diplomatike për mbretërinë arbërore në Republikat Italiane e më gjerë, mes tyre Pal Engjëlli, Pal Gazuli, Gjergj Pelini dhe Pjetër Perlati. Gjithashtu nga relacionet e asaj kohe vërehet ndikimi që impononte udhëheqja e Skënderbeut në tërë Evropën, ndër të tjera një letër dërguar perandorit Frederik August nga Papa Kaliksi III e vitit 1457:

“Kemi dëgjuar fjalë se ne po i marrim kombit tënd shuma më të mëdha nga ç’duhet. Të panumërta dhe të pa duruara janë shpenzimet që bëjmë dita ditës, herë i dërgojmë të holla përfaqësuesit të flotës sonë në Lindje, herë në Shqipëri Skënderbeut. Lavdinë e Perëndisë kërkojmë, jo tonën. Për shpëtimin e popullit që na është besuar punojmë, duke u kujdesur përherë që këmba e ndyrë e Turkut të mos shkelë emrin e të krishterëve në kohët tona” (F.Noli “Vepra III” fq. 227.)

Burimet dokumentare shënojnë për fushatën osmane për asgjësimin e Skënderbeut e udhëhequr prej Isa bej Evronozit bashkë me Hamzain nga fillimi i tremujorit te dyte te vitit 1457.

Njoftimi për ardhjen e turqve dëshmohet nga letra e papës Kaliksi III që mban datën 9 qershor 1457.

“Nga dy letrat tuaja që i morëm njëkohësisht, u njoftuam për arritjen e turqve të mbrapshtë… me gjitha mundësitë të tua do të përpiqesh ti bësh ballë por jo se të mungon guximi pse ti ke vendosur t‘i dalësh përpara me të gjitha forcat e tua… Emri yt i lumtur është përhapur në të gjithë popujt katolikë për fitoret e shkëlqyera që ti ke korrur prandaj po të porosisim që ta ruash trimërinë e mëparshme të thyesh sulmet e barbarëve dhe të përdorësh mirë fuqinë e ushtarëve dhe mbrojtësve të Krishtit” (K. Frashëri “Skënderbeu jeta dhe vepra” fq.346)

Kampi turk vendosjen përfundimtare e pozicionoi në vendin e quajtur Albulas sipas M. Barletit në perëndim të malit të Tumenisht (sot mali i Skënderbeut), arkeologu Hasan Ceka, Albulenën e ka lokalizuar me burimin e ujit sulfurik që kalon në trevën midis Mamurasit dhe Gjonmit, e cila në kohën e Barletit për nga shkuma banorët e quanin Ujëbardhë. K. Frashëri vep. e cit. fq.349.

Skënderbeu kishte shpërndarë ushtrinë, dhe ishte vendosur thellë në zonat malore dhe në sajë të traditave të lashta shqiptare pritej momenti i shkujdesjes së forcave osmane për sulm. Nga burimet dokumentare gjendja përshkruhet prej qeveritarëve italianë, Marco Diedo kapiteni venedikas i Durrësit raportonte Venedikun; “I madhërishmi Zoti Skënderbe endet nëpër male për të shpëtuar kryet mbase është braktisur nga të gjithë kryesorët e tij të cilët kanë vajtur me turkun…thuhet se në këtë ushtri të Turkut janë 80.000 kalorës dhe këmbësorë.” (A. Plasari “Skënderbeu një histori politike” fq. 531.)

Forcat osmane të gjendura në befasi të shkujdesur pas disa javësh datën e 2 shtatorit 1457 u goditën në disa drejtime nga ushtria arbërore e cila udhëhiqej prej Skënderbeut, Pjetër Emanuelit dhe Gjon Balshës dhe u shpartalluan plotësisht, sipas burimeve u vranë 15 mijë deri në 30 mijë, me një numër të madh robërish përfshirë Hamzanë, 18 oficer të lartë dhe një sanxhakbej.

Fitorja në Ujëbardhë pati rrjedhime pozitive të shumanshme si brenda viseve arbërore ashtu edhe në vendet evropiane ndikoi në forcimin e pushtetit të Skënderbeut, rrjedhimisht mbretërisë Arbërore.

“Mbretit të Spanjës dhe të galëve përveç një numri të madh robërish iu dërguan kuaj e plaçka lufte, po kështu edhe pothuaj për mbretërit e ndryshëm të krishterë… Qyteti i Romës u mbush të thuash përplot si me emrin ashtu edhe me sendet më të bukura të asaj fitoreje, kështu e kishte vendosur Skënderbeu me atë fisnikëri të pashoqe të vet, të bënte borxhli pothuaj tërë botën”, shkruan mes tjerash Marin Barleti. Në 23 dhjetor të po atij viti Skënderbeun e emëruan me dekret pontifikal nga papa Kaliksi III “Kapiten të Përgjithshëm të Selisë së Shenjt”, në luftën kundër osmanëve

Epopeja skënderbegiane pas betejës së Ujëbardhës mori jehonë ndërkombëtare, lëkundjet e zotërve feudalë u mënjanuan, pushteti i Skënderbeut me politikën e përqendruar vendoste Arbërinë në rend të parë në luftën antiosmane nga vendet e Ballkanit gjë që dëshmohet edhe prej letrave të dërguara nga kancelaritë e Mbretërive Evropiane si dhe Republikat Italiane.

Arbëria nën zotërimin e Skënderbeut i emëruar në hierarkinë e lartë të papatit nënkuptonte faktor thelbësor mes përplasjeve të qytetërimeve Lindje Perëndim.

By admin7