Kaos me vërtetimet mjekësore në Prishtinë, tre qytetarëve u mohohet votimi me asistencë

Problemet me vërtetimet mjekësore kanë shënuar një nga sfidat kryesore të procesit zgjedhor në shkollën “Nazim Gafurri” në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.

Sipas menaxheres së qendrës së votimit, Ardiana Makolli-Sadiku, tre persona janë refuzuar të votojnë me asistencë për shkak se nuk kanë poseduar dokumentacionin e nevojshëm nga Qendrat e Mjekësisë Familjare.

“Vështirësia më e madhe është te personat që nuk dinë shkrim e lexim dhe nuk kanë një vërtetim që e dëshmon vështirësinë e tyre. Tri raste janë refuzuar në shkollën tonë. I kemi këshilluar të drejtohen në KQZ për të gjetur zgjidhje”, ka deklaruar ajo për Klan Kosova.

Makolli-Sadiku ka bërë të ditur se problematika e vërtetimeve mjekësore është paraqitur edhe në zgjedhjet e kaluara, por këtë herë kriteret janë më të rrepta.

Sipas saj, aktualisht pranohen vetëm vërtetimet e lëshuara të paktën pesë ditë para ditës së votimit, ndërsa dokumentet më të reja nuk konsiderohen të vlefshme.

“Herën e kaluar janë pranuar edhe vërtetime të lëshuara gjatë ditës së diel, ndërsa këtë herë po kërkohet që ato të jenë lëshuar së paku pesë ditë më herët, përndryshe nuk po pranohen”, ka theksuar ajo.

Në këtë qendër votimi janë të regjistruar 6.225 votues. Deri në orën 13:00, sipas të dhënave zyrtare, të drejtën e votës e kanë ushtruar 1.256 qytetarë.

By admin