Të nderuar ministra,
Shkëlqesitë Tuaja,
I nderuar z. Pio Smith, Ndihmës Sekretar i Përgjithshëm dhe ushtrues detyre i Zëvendësdrejtorit Ekzekutiv për Programet në UNFPA,
I nderuar z. Alain Berset, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës,
E nderuara znj. Tatiana Molcean, Nënsekretare e Kombeve të Bashkuara dhe Sekretare Ekzekutive e UNECE-së,
E nderuara znj. Florence Bauer, Drejtoreshë Rajonale e UNFPA-së për Europën Lindore dhe Azinë Qendrore,
Të nderuar përfaqësues të qeverive, të trupit diplomatik, të komunitetit akademik, të sektorit civil dhe organizatave ndërkombëtare,
Zonja dhe zotërinj,
Më lejoni fillimisht t’ju dëshiroj një mirëseardhje të sinqertë dhe të përzemërt në Shkup, qytet që gjithmonë ka qenë kryqëzim i ideve, kulturave dhe vizioneve për të ardhmen. Për ne është një nder i veçantë që sot jemi nikoqirë të Konferencës së Dytë Rajonale Ministrore për Qëndrueshmëri Demografike dhe që së bashku me UNFPA-në, Këshillin e Europës, UNECE-në dhe partnerët tanë ndërkombëtarë po hapim dialog jashtëzakonisht të rëndësishëm për të ardhmen e shoqërive tona.
Kjo nuk është vetëm edhe një konferencë tjetër. Ky është një diskutim për të ardhmen e popujve tanë. Një diskutim për atë se çfarë shtetesh do të lëmë pas nesh. Një diskutim nëse do të krijojmë shoqëri ku të rinjtë do të duan të qëndrojnë, familjet do të duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe të moshuarit do të jetojnë me dinjitet dhe siguri.
Jetojmë në një kohë ndryshimesh të thella globale. Bota po ndryshon më shpejt se kurrë më parë. Ndryshimet klimatike, revolucioni teknologjik, transformimi digjital, modelet e reja ekonomike dhe sfidat gjeopolitike tashmë po e formësojnë realitetin e ri. Por paralelisht me të gjitha këto procese, ekziston edhe një transformim tjetër i heshtur, por thelbësor e që ka të bëjë me atë demografik.
Ai nuk është më temë për analiza akademike apo raporte statistikore. Është realitet që e ndiejmë çdo ditë. E shohim në klasat e zbrazëta në disa rajone. E shohim në mungesën e fuqisë punëtore. E shohim në presionin gjithnjë e më të madh mbi sistemet pensionale dhe shëndetësore. E shohim në largimin e njerëzve, të të rinjve që të ardhmen e tyre e kërkojnë jashtë atdheut.
Dhe pikërisht për këtë arsye sot jemi këtu — jo për të folur me frikë, por me përgjegjësi. Jo për të krijuar ndjenjë pafuqie, por për të ndërtuar së bashku një vizion për të ardhmen.
Për një kohë të gjatë, shumë shtete, përfshirë rajonin tonë, ndryshimet demografike i shihnin vetëm përmes prizmit të numrave. Sa më pak jemi. Sa po plakemi. Sa njerëz po largohen. Dhe pikërisht ky i ashtuquajtur shqetësim demografik shpesh krijonte politika që reagonin me vonesë, në mënyrë fragmentare dhe pa vizion afatgjatë.
Por thelbi nuk është vetëm te numrat. Thelbi është te cilësia e jetës. Te besimi që qytetarët kanë ndaj shtetit të tyre. Te ndjenja se këtu mund të ndërtojnë shtëpi, familje, karrierë dhe të ardhme.
Prandaj sot duhet ta pranojmë sinqerisht se sfida më e madhe nuk është vetëm ndryshimi demografik, por hendeku në qëndrueshmërinë demografike. Kjo është paaftësia e sistemeve për t’i njohur ndryshimet me kohë dhe për t’u përshtatur me politika të mençura, gjithëpërfshirëse dhe afatgjata.
Ky hendek ndihet në të gjithë rajonin e Europës Lindore, në Europë në përgjithësi, do të thosha dhe në Azinë Qendrore. Disa shtete përballen me rritje të madhe të popullsisë së re dhe nevojë për mundësi të reja. Të tjera përballen me plakje të popullsisë, zvogëlim të numrit të popullsisë në moshë pune dhe largim serioz të kapitalit njerëzor.
Ne nuk ikim nga ky realitet. Përkundrazi. E pranojmë hapur dhe me përgjegjësi.
Jemi të vetëdijshëm se nataliteti i ulët, emigrimi dhe largimi i të rinjve dhe njerëzve të arsimuar janë çështje që nuk mund të zgjidhen brenda natës. Por gjithashtu jemi të vetëdijshëm se shteti nuk guxon të qëndrojë anash dhe t’i vëzhgojë proceset në mënyrë pasive.
Përcaktimi ynë është i qartë — në vend të politikës së frikës, ndërtojmë politikë të qëndrueshmërisë. Në vend të masave afatshkurtra, krijojmë strategji afatgjatë. Në vend të zotimeve deklarative, vendosim zgjidhje sistemore.
Pikërisht për këtë e përgatitëm Strategjinë e re për Qëndrueshmëri Demografike 2026–2046. Jo si dokument formal që do të mbetet në letër, por si kornizë kombëtare për ardhmërinë e shtetit.
Kjo strategji është ndërtuar mbi një ide të thjeshtë, por thelbësore — se forca më e madhe e një shteti nuk janë resurset, nuk janë numrat, por njerëzit.
Ajo nuk bazohet në masa të izoluara dhe politika “ad hoc”. Ajo paraqet një qasje gjithëpërfshirëse që lidh ekonominë, arsimin, shëndetësinë, punën, politikën sociale, banimin, transformimin digjital dhe zhvillimin rajonal.
Vizioni ynë është të ndërtojmë një shtet ku një i ri do të ketë arsye të qëndrojë. Ku familjet do të kenë siguri. Ku gratë do të kenë mundësi të barabarta. Ku plakja nuk do të nënkuptojë izolim, por jetë dinjitoze dhe aktive.
Rruga drejt këtij qëllimi kërkon angazhim të të gjithë shoqërisë dhe qasje të koordinuar të të gjithë Qeverisë.
Së pari, duhet të investojmë fuqishëm në kapitalin njerëzor. Pa arsim cilësor, aftësi moderne dhe shëndetësi të qasshme nuk ka ekonomi që mund të jetë e konkurrueshme. As shtet që mund të jetë i qëndrueshëm. Njerëzit tanë duhet të jenë të përgatitur për ekonominë e re, teknologjitë e reja dhe tregun e punës që ndryshon me shpejtësi.
Së dyti, duhet të forcojmë familjet dhe të rinjtë. Të rinjtë nuk duhet ta përjetojnë shtetin si vend nga i cili duhet të largohen për të pasur sukses. Por si vend ku mund ta realizojnë të ardhmen e tyre. Prandaj nevojiten politika që do të mundësojnë ekuilibër më të mirë mes punës dhe jetës familjare, mbështetje për prindërit e rinj, investime në mbrojtjen e fëmijëve, kushte më të mira punësimi dhe banim të përballueshëm.
Së treti, duhet të krijojmë shoqëri vërtet gjithëpërfshirëse. Nuk guxojmë të lejojmë që asnjë kategori qytetarësh të mbetet në margjina. Gratë, të rinjtë, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit — të gjithë ata kanë potencial të madh që duhet të njihet dhe të përfshihet në jetën ekonomike dhe publike.
Dhe së katërti, duhet ta transformojmë migrimin nga humbje në mundësi. Diaspora jonë është potencial i madh. Ajo sjell dije, përvojë, kapital dhe lidhje ndërkombëtare. Detyra jonë është të krijojmë kushte që këta njerëz ta shohin sërish atdheun si vend për jetë, investime dhe të ardhme. Në vend të “emigirmit të të rinjve”, duhet të krijojmë “rritje të dijes, ideve dhe përvojës”.
Këto politika nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra. Ato duhet të funksionojnë si një sistem i përbashkët. Vetëm kështu do të ndërtojmë qëndrueshmëri të vërtetë demografike.
Të nderuar miq,
Sfidat me të cilat përballemi nuk përfundojnë në kufijtë kombëtarë. Ndryshimet demografike janë çështje europiane dhe globale. Dhe pikërisht për këtë kjo konferencë ka rëndësi të jashtëzakonshme.
Prania e përfaqësuesve nga më shumë se 25 vende tregon se ekziston vetëdije se askush nuk mund t’i zgjidhë vetëm këto procese. Nevojitet bashkëpunim. Nevojitet shkëmbim njohurish. Nevojiten parime të përbashkëta dhe vizion i përbashkët.
Sot kemi mundësinë të dërgojmë një mesazh të rëndësishëm — se ndryshimet demografike nuk duhet domosdoshmërisht të nënkuptojnë dobësim të shoqërive. Nëse ekziston vizion, vullnet politik dhe partneritet, ato mund të bëhen shtysë për zhvillim të ri, kohezion më të madh social dhe të ardhme më të qëndrueshme.
Besoj se kjo konferencë do të sjellë ide konkrete, partneritete të reja dhe përcaktim të fortë politik për ta vendosur njeriun në qendër të çdo politike demografike.
Prandaj i inkurajoj të gjithë pjesëmarrësit që gjatë dy ditëve të ardhshme të diskutojnë hapur, me guxim dhe me vizion. T’i ndajnë si sukseset, ashtu edhe sfidat. Të mësojmë nga njëri-tjetri. Dhe të ndërtojmë një qasje të përbashkët që do të jetë e orientuar drejt njerëzve, dinjitetit të tyre dhe të ardhmes së tyre.
Sepse në fund, forca e një shteti nuk matet vetëm me tregues ekonomikë apo institucione. Ajo matet me atë se sa besim kanë njerëzit në të ardhmen e tyre.
Dhe detyrimi ynë si liderë është pikërisht ky — të krijojmë një të ardhme në të cilën njerëzit do të duan të qëndrojnë, të krijojnë, të punojnë, të themelojnë familje dhe të ëndërrojnë në shtëpinë e tyre.
Të ndërtojmë shoqëri të qëndrueshme, të drejta dhe gjithëpërfshirëse për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Dhe do ta përfundoj me një fjali që e thashë dje në takimin që kishim në Qeveri, më në fund të gjithë duhet t’ia shtrojmë vetes pyetjen se çfarë mund të bëjmë ne për atdheun, e jo atdheu për ne.
Nuk mundemi vazhdimisht ta konsumojmë sistemin, nuk mundemi vazhdimisht ta keqpërdorim sistemin dhe të kërkojmë që ai sistem i njëjtë të na kthejë politikat më të mira dhe shërbimet më të mira. Duhet të jemi të vetëdijshëm se sistemi jemi ne dhe çfarë sistemi do të ndërtojmë, ai sistem ashtu do të na kthejë neve.
Nuk mund të kërkojmë punë sezonale diku në vende turistike, të kontribuojmë në atë ekonomi lokale disa muaj në vit dhe të paguajmë atje taksa, ndërsa nga sistemi ynë shëndetësor këtu të kërkojmë sigurim shëndetësor falas dhe të jetojmë duke kritikuar po atë sistem që vetë e lodhim dhe e konsumojmë.
Nuk mund të regjistrojmë orë shtesë pune që nuk i kemi merituar dhe ta harxhojmë atë buxhet që duhet ta financojë sistemin, sistemin që duhet të na kthejë neve.
Kjo nuk është e drejtë. Duhet të kontribuojmë në ekonominë e vendit dhe duhet ta ndërtojmë sistemin e vendit, nëse duam që po ai sistem të na kthejë. Në të kundërtën, do të përballemi me këtë realitet të dhimbshëm dhe të trishtë.
Prandaj mesazhi im për të rinjtë, që mendojnë se disa muaj diku në një destinacion turistik mjaftojnë për të ëndërruar për të ardhmen e tyre, është se gabohen. Në shtëpi duhet të ëndërrojmë dhe ta ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët, në atdheun tonë të përbashkët. Sa më fort të ëndërrojmë dhe sa më fort të punojmë në shtëpi, aq më të fortë do ta kemi sistemin.
Mos kontribuoni diku jashtë, në ekonomi të huaja. Në shtëpi ndërtohet e ardhmja e atdheut tuaj.

