Shkup, 20 korrik – Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbana Pasholli, akuzoi shumicën parlamentare për shkelje të vazhdueshme të Rregullores së Kuvendit, duke thënë se mënyra se si po procedohen ligjet për arsimin e lartë është vazhdimësi e përpjekjes së javës së kaluar për ta proceduar Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat në kundërshtim me procedurat parlamentare. Në një konferencë për media, Pasholli tha se këto nuk janë dy raste të ndara, por pjesë e të njëjtit model të veprimit.
“Ajo që ndodhi javën e kaluar me Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat dhe ajo që po ndodh tani me ligjet për arsimin e lartë nuk janë dy raste të ndara. Janë pjesë e të njëjtës praktikë të anashkalimit të Rregullores së Kuvendit.”
Sipas saj, pasi shumica parlamentare dështoi ta procedonte Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili mbeti në rend dite të seancës plenare, të nesërmen tërhoqi projektligjet për arsimin e lartë nga e njëjta seancë, për t’i ridorëzuar vetëm një orë më vonë dhe për të tentuar procedimin e tyre me një ritëm që, sipas saj, pamundëson shqyrtimin normal parlamentar.
“Kjo nuk është rastësi. Është një model i rrezikshëm veprimi. Javën e kaluar u tentua të anashkalohej procedura për një ligj me rëndësi kushtetuese. Sot po shohim të njëjtën qasje edhe ndaj ligjeve për arsimin e lartë. Kur një praktikë përsëritet, ajo nuk është më përjashtim, por rrezikon të shndërrohet në standard. Pikërisht këtë standard po kundërshtojmë.”
Deputetja e BDI-së tha se faktet flasin qartë, duke theksuar se projektligjet u ridorëzuan dhe vetëm pak minuta më vonë u caktua mbledhja e Komisionit për Arsim.
“Deputetëve iu dorëzuan materialet, ndërsa Komisioni u thirr vetëm 14 minuta pas njoftimit.”
Pasholli vlerësoi se kjo bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 126 të Rregullores së Kuvendit.
“Kjo bie ndesh drejtpërdrejt me nenin 126 të Rregullores së Kuvendit, sipas të cilit materialet dhe ftesa për mbledhjen e komisionit dorëzohen, si rregull, pesë ditë përpara. Vetëm në raste urgjente ky afat mund të shkurtohet dhe urgjenca duhet të arsyetohet me shkrim. Në këtë rast nuk pati as respektim të afatit dhe as arsyetim.” Ajo parashtroi një sërë pyetjesh, për të cilat kërkoi përgjigje nga shumica parlamentare dhe nga Kryetari i Kuvendit.
“Kush mban përgjegjësi për shkeljen e nenit 126 të Rregullores së Kuvendit? Kush vendosi që Komisioni për Arsim të thirrej vetëm 14 minuta pas njoftimit? Pse u shkel një dispozitë kaq e qartë procedurale, kur nuk ekzistonte asnjë urgjencë e arsyetuar? A po shndërrohet kjo në praktikën e re të shumicës parlamentare?”
Sipas Pashollit, përgjegjësia bie mbi shumicën parlamentare dhe mbi Kryetarin e Kuvendit, i cili, siç tha ajo, ka detyrimin të garantojë respektimin e Rregullores. Deputetja theksoi gjithashtu se projektligjet u tërhoqën dhe u ridorëzuan pa asnjë ndryshim në përmbajtje, duke ngritur dyshime për arsyen e këtij veprimi.
“Po aq shqetësues është edhe fakti se projektligjet u tërhoqën dhe u ridorëzuan pa asnjë ndryshim në përmbajtje. Kjo krijon përshtypjen se procedura nuk u përdor për të përmirësuar tekstin e ligjeve, por për të imponuar një ritëm që kufizon debatin parlamentar.”
Pasholli bëri të ditur se opozita reagoi menjëherë përmes komunikimit institucional dhe reagimeve publike, ndërsa pas këtyre reagimeve, mbledhja e Komisionit u shty për ditën e hënë.
“Pas këtyre reagimeve, mbledhja e Komisionit u shty për ditën e hënë, me arsyetimin se nevojitej kohë për të siguruar zhvillimin normal të procedurës dhe një debat funksional në përputhje me Rregulloren.” Sipas saj, vetë ky vendim ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si ishte planifikuar fillimisht procedura.
“Kjo ngre një pyetje logjike: nëse vetë shumica pranoi se nevojitej kohë shtesë për të respektuar Rregulloren, atëherë pse u caktua fillimisht mbledhja vetëm 14 minuta pas njoftimit? Kush e mori atë vendim dhe mbi çfarë baze? Sepse nëse një veprim pranohet më pas si i gabuar, atëherë duhet të ketë edhe përgjegjësi për ata që e kanë ndërmarrë.”
Në fund, deputetja e BDI-së paralajmëroi se normalizimi i shkeljeve procedurale rrezikon funksionimin e Kuvendit dhe cilësinë e procesit ligjvënës.
“Nëse shkelja e Rregullores bëhet praktikë, atëherë humbet kuptimin vetë debati parlamentar. Sepse pa procedurë nuk ka debat, pa debat nuk ka ligjvënie cilësore dhe pa ligjvënie cilësore nuk mund të ketë besim te institucionet.”
Ajo shtoi se çështja nuk i përket vetëm opozitës, por vetë funksionimit të shtetit të së drejtës.
“Nëse sot normalizohet shkelja e Rregullores, nesër e njëjta praktikë mund të përdoret për çdo projektligj. Prandaj kjo nuk është vetëm një çështje e opozitës. Është çështje e mbrojtjes së Kuvendit si institucion dhe e mbrojtjes së shtetit të së drejtës.”
Në përfundim, Pasholli tha se BDI nuk kërkon asgjë më shumë sesa respektimin e procedurave parlamentare.
“Ne kërkojmë vetëm një gjë: respektimin e Rregullores së Kuvendit. Ligjet mund të debatohen, të mbështeten ose të kundërshtohen. Por procedurat nuk mund të zbatohen sipas interesit politik të ditës.”



