Shkupi nuk harron 26 korrikun 1963 – dita kur qyteti u shkatërrua nga tërmeti vdekjeprurës

Sot shënohen 63 vjet nga një prej tragjedive më të mëdha në historinë e Shkupit. Mëngjesin e 26 korrikut 1963, në orën 05:17, një tërmet i fuqishëm goditi kryeqytetin, duke lënë pas një bilanc të rëndë prej 1.070 viktimash, rreth 3.000 të plagosur dhe mbi 200.000 banorë pa strehë.

Lëkundjet, të cilat vazhduan deri në orën 05:43, shkaktuan shkatërrime të mëdha në qytet. Rreth 15.800 shtëpi u rrënuan plotësisht, ndërsa mbi 28.000 objekte të tjera pësuan dëmtime serioze. Brenda pak minutash, pjesë të tëra të Shkupit u shndërruan në gërmadha.

Tragjedia preku jo vetëm Maqedoninë e atëhershme, por mobilizoi edhe komunitetin ndërkombëtar. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar nisi menjëherë aksione humanitare për grumbullimin e ushqimeve dhe ndihmave, ndërsa dhjetëra shtete iu përgjigjën thirrjes për solidaritet. Kombet e Bashkuara miratuan një rezolutë të posaçme për të mbështetur rindërtimin e qytetit, ndërsa 14 tetori 1963 mbeti i njohur në arkivat e OKB-së si “Dita e Shkupit”, në shenjë të solidaritetit të jashtëzakonshëm ndërkombëtar.

Tërmeti i vitit 1963 mbetet shkatërrimi i tretë i madh në historinë e Shkupit. Qyteti ishte rrënuar më parë nga një tërmet katastrofik në vitin 518, kur u shkatërrua qyteti antik i Skupit, dhe më pas nga një tjetër tërmet i fuqishëm në vitin 1555.

Edhe pas 63 vitesh, kujtimi i viktimave mbetet i gjallë, ndërsa 26 korriku shënohet si një ditë zie dhe reflektimi. Historia e tërmetit të vitit 1963 është një kujtesë e dhimbshme e fuqisë së natyrës, por edhe një dëshmi e solidaritetit ndërkombëtar që ndihmoi Shkupin të ringrihej dhe të ndërtonte një të ardhme të re.

By admin