Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.3 ballë ka goditur këtë të premte brigjet jugore të Meksikës, duke shkaktuar dridhje të forta edhe në Guatemalë dhe El Salvador. Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), epiqendra ishte rreth 48 kilometra në jugperëndim të Aquiles Serdán, në shtetin meksikan të Chiapas.
Lëkundjet u ndjenë fuqishëm përgjatë bregdetit, ndërsa banorët dolën me nxitim nga shtëpitë dhe ndërtesat. Pas tërmetit, autoritetet lëshuan një alarm për cunami, duke paralajmëruar për valë të rrezikshme përgjatë brigjeve të Meksikës dhe Guatemalës, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të qëndrojnë larg plazheve deri në një njoftim të dytë.
Deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme të mëdha materiale, megjithëse autoritetet janë duke vlerësuar situatën në zonat e prekura. Pasgoditje me magnitudë nga 5 deri në 6 ballë janë regjistruar menjëherë pas tërmetit, duke mbajtur në alarm shërbimet e emergjencës.
Meksika ndodhet në një nga rajonet më aktive sizmike në botë për shkak të përplasjes së disa pllakave tektonike, çka e bën vendin të përballet shpesh me tërmete të fuqishme.



