Isfahan, lufta ka lënë gjurmë kudo…
“Më dhemb ta shoh qytetin tim kështu”, thotë Shirin, e cila është kthyer prej një muaji pasi ishte strehuar me familjen në një fshat rreth 500 kilometra larg. “Gjatë bombardimeve u larguam”, shton ajo.
Shirin punon si fizioterapiste, por klinika e saj ende nuk është hapur. “Njerëzit nuk kanë para as për të paguar qiranë, jo më për fizioterapi”.
Për memorandumin mes Shteteve të Bashkuara dhe Republikës Islamike ajo di pak. Shirin është kundër luftës dhe kundër regjimit të Mojtaba Khameneit, por mendja i shkon te faturat dhe shpenzimet e muajit.
Në Teheran, Jasmine i ndjek negociatat nga redaksia ku punon. Ajo nuk e ka ndërprerë punën as gjatë sulmeve. Është kryeredaktore në një nga gazetat më të mëdha të vendit dhe zakonisht janë gazetarët që e kontaktojnë atë. Këtë herë është ajo që pyet: Çfarë dini për bisedimet?
Sipas saj, propaganda është bërë edhe më e fortë. “Pasdaranët (Garda Revolucionare) përgatisin vetë materialet dhe ua dërgojnë redaksive. Artikuj, tituj, analiza. Drejtorët i marrin dhe ne duhet të ndërhyjmë sa më pak. Është gjithnjë e më e vështirë të kuptosh çfarë është gënjeshtër dhe çfarë është e vërtetë”, thotë ajo.
Në gazetën e saj, memorandumi paraqitet si një “frymëmarrje”, por në shumicën e mediave të tjera cilësohet si një “fitore totale”. “Shkruajnë se kemi mposhtur SHBA-të, se jemi bërë të pathyeshëm”, tregon Jasmine.
Ajo dërgon një artikull nga gazeta pranë regjimit, Kayhan, ku analisti Hossein Shariatmadari pretendon se Bahreini është pjesë e territorit iranian dhe se populli i tij pret të bashkohet me “atdheun mëmë”.
Në televizion flitet për Bahreinin, Azerbajxhanin, Gjeorgjinë dhe Emiratet si vende që duhet të rikthehen nën ndikimin e Teheranit. “Kemi urdhër të tregojmë një Iran të fortë”, thotë Jasmine.
Ajo shton se në mbledhje “festojnë edhe deklaratat e Sánchez”, të cilat regjimi i interpreton si provë se Europa ka frikë nga Irani.
Ndërkohë, në tregje njerëzit përballen me një realitet krejt tjetër. Çmimi i qepëve është rritur me 41%, mishi i kuq me 157%, orizi iranian me 161%, ndërsa orizi i importuar mbi 220%. Pula është shtrenjtuar me 287%, vezët me 342% dhe vaji i gatimit me 431%.
“Po blejmë më pak nga gjithçka”, thotë Shirin. Për të, memorandumi është vetëm një fjalë që dëgjohet në radio, ndërsa ajo sheh listën e shpenzimeve që duhet të paguajë.
Edhe Samira, që jeton në Teheran, tregon të njëjtën histori. Për të problemi nuk është Libani apo programi bërthamor, por dentisti i djalit dhe kësti i ardhshëm i makinës.
“Nuk i besoj as Donald Trump-it, as Khameneit”, thotë ajo. “Disa shpresojnë se kjo marrëveshje do ta përmirësojë ekonominë, por regjimi nuk mendon për njerëzit e vet”.
Ajo kujton protestat e dhjetorit dhe janarit. “U vranë mijëra njerëz. Paratë do t’i përdorin për armatim dhe për të financuar milicitë, jo për familjet që nuk kanë më shpresë”.
Më pas tregon historinë e djalit të një fqinje, i arrestuar një muaj më parë. “Nëna e tij shkon çdo ditë para burgut për të marrë lajme”. Ajo ka frikë se emri i tij mund të jetë në listën e të dënuarve me vdekje, e cila që prej fillimit të janarit ka kaluar shifrën 700.
Ali, i cili shkruan nga një qytet tjetër, nuk ka shumë shpresa. Thotë se marrëveshje të tilla i ka parë edhe më parë, se paratë do të përfundojnë në buxhetet ushtarake dhe se gjithçka mund të anulohet në çdo moment.
Edhe Jasmine mendon njësoj. Ajo përpiqet ta shkruajë këtë herë pas here, por për një artikull tashmë është nën proces gjyqësor. “Të vërtetën përpiqem ta fus mes rreshtave dhe kjo është gjithmonë një rrezik shumë i madh”, thotë ajo.
Teksa ndjek negociatat në Lucernë, mendja i kthehet dimrit të kaluar. “Iranianët, më shumë se luftën, kanë brenda vetes masakrën e janarit. Për shumë prej nesh ky memorandum është një tradhti, është varri ynë. Perëndimi nuk e kupton se kush janë vërtet ajatollahët dhe çfarë do të thotë të jetosh nën sundimin e tyre”.
Irani për të cilin flet Jasmine është një vend me një popullsi të re, që dëshiron një jetë të lirë.
Më shumë se gjysma e 92 milionë banorëve janë nën moshën 35 vjeç. Mbi 24 milionë janë të mitur, ndërsa të rinjtë nga 15 deri në 34 vjeç përbëjnë pothuajse 40% të shoqërisë.
Sipas saj, shumica e tyre duan vetëm të punojnë, të udhëtojnë, të flasin pa frikë dhe të mos e shohin jetën e tyre të vendosur nga lufta apo nga urdhrat fetarë.
Kur pyetet se sa mbështetje ka ende regjimi i ajatollahëve, Jasmine përgjigjet me shifra. Sipas saj, rreth 5-6 milionë njerëz lidhen me administratën dhe aparatin e kontrollit, ndërsa 5-6 milionë të tjerë me Gardën Revolucionare, ushtrinë, policinë dhe forcat basij.
Pastaj janë edhe të varfrit, të cilët sipas saj dërgohen me autobusë në protesta në këmbim të ushqimit ose parave.

