Në vend që të përkrahin klubet sportive nëpër stadiume dhe salla, tifozët maqedonas vazhdojnë me brohoritje nacionaliste duke kërkuar dhoma gazi dhe vdekje për shqiptarët. Institucionet po veprojnë me hapa të ‘breshkës’ në dënimin dhe parandalimin e këtyre fenomeneve në terrenet sportive, ndërsa mosndëshkimi i thirrjeve nacionaliste ka ndikuar që ato të përsëriten vazhdimisht nëpër ndeshje sportive, shkruan Portalb.mk.
Gjuha e urrejtjes dhe brohoritjet anti-shqiptare nuk kanë të ndalura në shkallët e stadiumeve. Në ndeshjen mes K.F. Vardarit dhe K.F. Tikveshit e vlefshme për javën 29, tifozët vendas ‘Komitët‘, brohoritnin se “Shqiptari i mirë, është shqiptari i vdekur”.
Edhe pse ka kaluar më shumë se një javë nga dita kur tifozët e Vardarit brohorisnin duke kërkuar “vdekje për shqiptarët”, nga Komisioni Disiplinor i FFM-së, nuk e kanë parë të arsyeshme të dënojnë Vardarin për organizim e ndeshjeve si nikoqir.
Tifo grupi ‘Komitët‘, përveç K.F. Vardarit ata përkrahin edhe reprezentacionin e Maqedonisë së Veriut, ku kapiteni i ekipit është shqiptari nga Shkupi – Enis Bardhi, por përveç tij në ekipin e parë ka edhe tjerë futbollistë shqiptarë, këta lojtarë marrin ofendime nga vetë tifozët maqedonas.
Deri më tani për shkak të thirrjeve nacionaliste dhe anti-shqiptare, K.F.Vardari nga FFM-ja është dënuar me vetëm një ndeshje pa publik dhe 5.000 euro gjobë.
Kujtojmë se ky nuk është rasti i vetëm, i koreve anti-shqiptare në stadiume. Një gjuhë e tillë kohëve të fundit filloi që nga ndeshja e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë e vlefshme për para kualifikimet e Kampionatit Botëror.
E njëjta gjuhë e urrejtës vazhdoi edhe në disa ndeshje të futbollit, siç ishte ndeshje mes Vardaritdhe Bashkimit, apo edhe në ndeshje të tjera ku luante K.F. Vardari, K.F. Pelisteri dhe K.F. Tikveshi, qoftë me ekipe shqiptare apo maqedonase, tifozët maqedonas brohorisnin duke kërkuar vdekje apo dhoma gazi për shqiptarët.
Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD), për Portalb.mk ka shprehur shqetësim për dukuritë e shpeshta të gjuhës së urrejtjes në tribunat sportive. Sipas tyre, këto nuk janë vetëm incidente të izoluara, por tregojnë probleme më të thella sociale që lidhen me intolerancën, diskriminimin dhe gjuhën e urrejtjes në bazë të etnisë, kombësisë ose bazave të tjera.
KPMD u bën thirrje institucioneve kompetente, federatave sportive dhe klubeve që të marrin masa më efektive për të parandaluar dhe sanksionuar fenomene të tilla, duke përfshirë edukimin e tifozëve, mbikëqyrjen e shtuar dhe zbatimin e vazhdueshëm të dispozitave ligjore.

