Mbi 100 të infektuar me Norovirus në anijen turistike “Caribbean Princess”
Më shumë se 100 persona janë sëmurur nga norovirusi në anijen turistike Caribbean Princess, ka bërë të ditur Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Deri më tani, simptomat e infeksionit janë raportuar te 102 pasagjerë dhe 13 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa të prekurit janë ankuar për diarre dhe të vjella.
Epidemia u raportua gjatë udhëtimit të kruzierës i cili zgjat nga 28 prilli deri më 11 maj. Sipas të dhënave nga faqja CruiseMapper, anija aktualisht ndodhet në pjesën veriperëndimore të Oqeanit Atlantik dhe po lundron drejt Puerto Plata-s në Republikën Dominikane, ndërsa në Port Canaveral të Floridës pritet të mbërrijë më 11 maj.
Në anije ndodhen gjithsej 3,116 pasagjerë dhe 1,131 anëtarë ekuipazhi.
Për shkak të përhapjes së infeksionit, ekuipazhi ka shtuar masat e pastrimit dhe dezinfektimit, ka izoluar pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të sëmurë, si dhe ka mbledhur mostra për testim, njoftoi CDC, siç raporton ABC News.
Nga kompania Princess Cruises deklaruan se një numër i kufizuar personash kanë raportuar simptoma të lehta gastrointestinale gjatë udhëtimit.
”Kemi dezinfektuar menjëherë të gjitha pjesët e anijes dhe kemi përforcuar masat higjienike gjatë lundrimit,” njoftoi kompania.
Ata shtuan se pas mbërritjes në Port Canaveral, anija do t’i nënshtrohet një pastrimi dhe dezinfektimi të plotë e të detajuar përpara udhëtimit të radhës.
Norovirusi është një virus shumë ngjitës që shpesh shkakton probleme gastrointestinale, dhe shpërthimet e tilla në anijet turistike nuk janë të rralla. Sipas CDC-së, kjo është tashmë epidemia e katërt e një sëmundjeje gastrointestinale e regjistruar në anijet turistike gjatë këtij viti.


