Partia e djathtë ekstreme AfD ka marrë për herë të parë presidencën e një parlamenti rajonal në Gjermani, pas zgjedhjes së Tobias Rausch në krye të parlamentit të landit të Saksonisë-Anhalt.
Rausch u zgjodh me 48 vota pro dhe 29 kundër, megjithëse AfD nuk disponon shumicën absolute në parlament. Partia ka 39 mandate, ndërsa Aleanca Sahra Uagenknecht (BSU), një forcë e majtë me qëndrime pro-ruse, ka pesë deputetë.
Zgjedhja e Rausch u bë e mundur falë votave të BSU-së dhe mbështetjes së deputetëve të tjerë. CDU kishte deklaruar zyrtarisht se do të abstenonte, ndërsa SPD dhe Të Gjelbrit kishin njoftuar se do të votonin kundër kandidatit të AfD-së.
Zhvillimi shihet si një sukses i rëndësishëm politik për AfD-në, e cila pas rezultateve befasuese në zgjedhjet e shtatorit synon të zgjerojë ndikimin e saj institucional në Saksoninë-Anhalt.
AfD ka deklaruar gjithashtu se është në kontakt me deputetë individualë të partive të tjera, me synimin për të siguruar shumicën absolute të nevojshme për formimin e qeverisë.
Nëse këto përpjekje rezultojnë të suksesshme, Saksonia-Anhalt mund të përballet me një ndryshim të rëndësishëm në balancat politike në nivel rajonal.



