Sot sytë e botës së futbollit janë drejtuar kah El Clásico, por për Real Madridin kjo supersfidë vjen në një nga momentet më të vështira të viteve të fundit. “Mbretërorët” përballen me Barcelonën mes krizës së rezultateve, tensioneve të brendshme dhe një liste të gjatë mungesash që ka ndezur alarmin në Madrid.
Në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, Reali do të jetë pa disa nga emrat kryesorë të skuadrës. Kylian Mbappé mungon në momentin vendimtar, ndërsa jashtë loje janë edhe Fede Valverde, Arda Güler, Ferland Mendy, Éder Militão, Dani Carvajal dhe Rodrygo. Praktikisht, madrilenët zbresin në fushë me repartin defensiv të shkatërruar dhe me mungesa të mëdha edhe në sulm e mesfushë.
Situata është komplikuar edhe më shumë nga vendimet e trajnerit Álvaro Arbeloa. Mesfushori Dani Ceballos është lënë sërish jashtë listës, pavarësisht problemeve të shumta në ekip, duke shtuar spekulimet për përçarje dhe mungesë besimi brenda zhveshtores madrilene.
Ky sezon për Real Madridin po konsiderohet si një nga më të dobëtit e viteve të fundit. Nga një ekip që dominonte Europën, “Mbretërorët” tani po luftojnë për të shpëtuar krenarinë në një sezon të mbushur me kritika, dëmtime dhe zhgënjime.
Në anën tjetër, Barcelona ka mundësinë që pikërisht sonte të afrohet edhe më shumë drejt titullit kampion, madje në sytë e rivalit të përjetshëm. El Clásico këtë herë nuk është vetëm betejë për tri pikë, por një përplasje emocionesh, presioni dhe krenarie mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll.


