Gjatë një ekskursioni shkollor në Monte Karlo, drejtoresha dhe ndihmësi i saj dyshohet se kanë luajtur në kazino, ndërsa nxënësit i kanë pritur në hollin e saj. Këto akuza i ka bërë Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), përcjell tetova1
Jovançe Manaskov, kryetar i Komisionit partiak për Arsim dhe Shkencë të LSDM-së, pretendon se nxënësit kanë pritur në holl, ndërsa personat përgjegjës për shoqërimin e tyre kanë luajtur në makinat e lojërave të fatit.
Kush janë personat ndaj të cilëve drejtohen akuzat?
Sipas Manaskovit, bëhet fjalë për drejtoreshën Zhaneta Servini dhe ndihmësdrejtorin Lupço Zdravkovski të Qendrës Rajonale për Arsim dhe Trajnim Profesional „Gjorgji Naumov“ në Manastir.
Manaskov pretendon se për rastin ekzistojnë video-incizime dhe fotografi. Ai ka paralajmëruar se materialet do të publikohen me fytyrat e paqarta, me qëllim të mbrojtjes së identitetit të nxënësve të mitur.
LSDM kërkon përgjegjësi nga Ministria e Arsimit
LSDM i ka bërë thirrje ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, të kryejë mbikëqyrje urgjente dhe të përcaktojë nëse ekzistojnë baza për përgjegjësi dhe shkarkimin e personave të përfshirë.
„Përgjegjësia në arsim nuk është privilegj, por detyrim“, ka deklaruar Manaskov.
Deri më tani, nuk është publikuar ndonjë reagim nga drejtoresha, ndihmësdrejtori apo Ministria e Arsimit dhe Shkencës lidhur me akuzat.
Pretendimet e paraqitura nga LSDM-ja mbeten për t’u verifikuar dhe konfirmuar nga institucionet kompetente./tetova1.mk



