Më shumë se njëqind laureatë të Çmimit Nobel kërkuan sot lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të laureates së Çmimit Nobel për Paqen, Narges Mohammadi, pasi aktivistja iraniane e të drejtave të njeriut u dërgua në spital për shkak të përkeqësimit të shpejtë të shëndetit të saj.
Në një deklaratë të raportuar nga Guardian, 112 laureatët e Çmimit Nobel u bënë thirrje autoriteteve iraniane dhe bashkësisë ndërkombëtare që të veprojnë “pa vonesë” për të siguruar lirimin e Mohammadit dhe aksesin e vazhdueshëm në trajtim.
Narges Mohammadi mori Çmimin Nobel për Paqen për vitin 2023 për dekadat e saj të luftës për të drejtat e grave në Iran.
Përveç lirimit të menjëhershëm të aktivistes, laureatët e Çmimit Nobel kërkojnë gjithashtu që të gjitha akuzat kundër saj të rrëzohen.
“Ekspertët mjekësorë paralajmërojnë se jeta e saj mund të jetë në rrezik të menjëhershëm”, thanë laureatët e çmimit Nobel në një deklaratë të përbashkët, duke shtuar se asaj iu mohua kujdesi mjekësor për muaj të tërë në burg.
Midis nënshkruesve janë 26 laureatë të Çmimit Nobel për kimi, 12 për ekonomi, pesë për letërsi, 29 për mjekësi, 11 për paqe dhe 29 për fizikë, raporton e përditshmja britanike Guardian.
Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen në vitin 1997, Jodi Williams, tha se Mohammadi “nuk duhej të ishte sjellë kurrë në prag të jetës dhe vdekjes”.
“Askush, askund, nuk duhet të burgoset për protestë paqësore ose për mbrojtje të të drejtave të njeriut”, tha Williams.
Gazetarja jemenase dhe fituesja e Çmimit Nobel në vitin 2011, Tawak Karman, e përshkroi Mohammadi-n si “zërin e patrembur të grave që i rezistojnë shtypjes dhe kërkojnë liri”.
“Asnjë burg nuk mund ta heshtë luftën për dinjitet dhe drejtësi. Narges duhet të lirohen dhe bota duhet të vazhdojë të qëndrojë me gratë e Iranit”, tha Karman.
Djali i Narges Mohammadi-t, Ali Rahmani, i cili jeton në Paris, tha se pezullimi i përkohshëm i dënimit të saj nuk ishte i mjaftueshëm dhe se jeta e saj varet në fije të perit pas viteve në burg.
Mohammadi është burgosur vazhdimisht nga autoritetet iraniane për aktivizëm që kur u arrestua për herë të parë në vitin 1998, duke përfshirë fushatën kundër dënimit me vdekje dhe ligjeve të detyrueshme të hixhabit në Iran.
Ajo u dënua me dënime të shumëfishta që arrinin në total mbi 44 vjet burg dhe 154 goditje me kamzhik.


