Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë vizitës së tij në Mal të Zi, paralajmëroi se ka aktorë që përpiqen të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe ta tërheqin rajonin prapa.
Gjatë fjalës së tij, Rutte theksoi se Aleanca është e përkushtuar të sigurojë që problemet e së kaluarës të mbeten në histori.
Ai deklaroi: “Ne do të identifikojmë dhe kundërshtojmë çdo aktivitet dashakeq në territorin e NATO-s”, duke nënvizuar se rajoni mbetet i rëndësishëm për sigurinë euroatlantike.
Rutte përmendi se Rusia vazhdon luftën e saj kundër Ukrainës, Kina po bëhet gjithnjë e më e vendosur në qasjen e saj, ndërsa fqinjësia jugore mbetet e paqëndrueshme. Ai përshëndeti faktin që Mali i Zi tashmë investon mbi 2% të PBB-së në mbrojtje dhe e cilësoi vendin si një aleat të vlefshëm të NATO-s, duke kujtuar se prej nëntë vitesh është pjesë e Aleancës.


