Skenderaj është përfshirë mbrëmë nga protesta të qytetarëve pas zbarkimit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, pas zhvillimeve të fundit që lidhen me ngjarjen mes Sami Lushtakut dhe Hysni Mehanit.
Qytetarë të shumtë janë mbledhur në qytet dhe në disa zona kanë bllokuar lëvizjen e policisë, duke kundërshtuar praninë e forcave speciale në Skenderaj.
Lidhur me situatën kanë reaguar edhe disa zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Deputetja Ganimete Musliu iu bashkua protestuesve dhe kërkoi tërheqjen e policisë, duke pyetur publikisht pse është rrethuar Skenderaj nga forcat policore.
Ndërkohë, deputetja Ariana Musliu-Shoshi deklaroi se “Skenderaj nuk frikësohet, nuk nënshtrohet dhe nuk harron”, duke kritikuar praninë e Njësisë Speciale dhe qasjen e institucioneve ndaj qytetit.
Reagim pati edhe nga deputetja Blerta Deliu, e cila tha se ajo që po ndodh sonte në Skenderaj “nuk i shërben as drejtësisë, as sigurisë dhe as qetësisë publike”.
Deri më tani, Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje shtesë lidhur me zhvillimet në terren.



