Reperi amerikan Sean “Diddy” Combs dyshohet se është përfshirë në një përleshje fizike me një të burgosur tjetër, Christopher Coke, i njohur me nofkën “Dudus”, duke pësuar lëndim në kokë.
Sipas raportimit të mediumit amerikan TMZ, incidenti ka ndodhur të premten, më 9 tetor, në burgun federal FCI Fort Dix, në New Jersey të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Duke u bazuar në burime brenda burgut, TMZ-ja raporton se përplasja dyshohet të ketë nisur pasi të burgosurit e tjerë ishin të pakënaqur me trajtimin dhe privilegjet që pretendohej se gëzonte Diddy gjatë qëndrimit prapa grilave. Pas raportimeve për kushtet e tij në burg, autoritetet kishin kryer kontrolle dhe kishin konfiskuar telefona celularë nga të burgosurit, përfshirë edhe një telefon që i atribuohet Coke.
Pas përleshjes, Diddy dyshohet se ka pësuar lëndim në kokë dhe është dërguar me ambulancë në një institucion mjekësor për trajtim. Sipas raportimeve të mediave amerikane, lëndimi nuk ishte kërcënues për jetën, ndërsa reperi ishte kthyer në burg mëngjesin e së shtunës.
TMZ-ja raporton gjithashtu se të dy të burgosurit janë vendosur në njësinë e izolimit për dy javë si masë disiplinore. Megjithatë, rrethanat e plota të përleshjes nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Diddy është duke vuajtur një dënim prej 50-muajsh burgim, pas dënimit për dy akuza që lidhen me transportimin e personave me qëllim përfshirjen në prostitucion. Ndërkaq, Christopher Coke, i njohur si “Dudus”, është dënuar me 23 vjet burgim në një çështje që lidhet me krimin e organizuar.



