Protesta dhe barrikada në Havana për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë elektrike

Qindra kubanezë dolën në rrugët e Havanës për të protestuar kundër ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë elektrike, pasi vendi po përballet me mungesë të naftës, pas humbjes së furnizuesit kryesor, Venezuelës, në fillim të këtij viti, përcjell TV21.

Në rrjetet sociale janë publikuar pamje ku banorët e Havanës ndezin barrikada dhe godasin tenxhere në shenjë revolte ndaj ndërprerjeve ditore të energjisë, të cilat zgjasin deri në 22 orë.

Reklame

Qeveria e këtij shteti socialist fajëson SHBA-të dhe embargon amerikane të naftës për krizën energjetike.

Operatori kombëtar i energjisë UNE njoftoi se rrjeti elektrik mes provincës qendrore Ciego de Ávila dhe rajonit lindor Guantánamo pësoi sërish ndërprerje gjatë mëngjesit të djeshëm.

Që nga fillimi i vitit, vetëm një cisternë ruse me 100 mijë tonë naftë ka arritur në Kubë. Sipas qeverisë, ishullit me rreth 10 milionë banorë i nevojiten të paktën tetë dërgesa të tilla çdo muaj për të mbuluar nevojat energjetike.

Kuba prej vitesh po përballet me një krizë të rëndë ekonomike, e cila është përkeqësuar edhe më shumë nga embargoja amerikane e naftës në muajt e fundit.

Havana humbi furnizuesin kryesor me naftë, Venezuelën, pasi forcat speciale amerikane arrestuan presidentin Nicolás Maduro në Karakas në fillim të janarit. Edhe Meksika ka kufizuar dërgesat e naftës, pasi presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi me tarifa ndëshkuese vendet nga të cilat Kuba siguron naftën.

Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit para dy ditësh i ofroi popullit kubanez 100 milionë dollarë ndihmë direkte humanitare, e cila do të shpërndahet përmes Kishës Katolike dhe organizatave të tjera të pavarura.

By admin2