Zgjerohet funksioni i “Safe City”, sistemi do të ndëshkojë edhe parkimin e gabuar

Sistemi “Safe City” do të zgjerohet me funksionalitete të reja dhe në periudhën e ardhshme do të përfshijë një numër më të madh shkeljesh të trafikut, ka njoftuar ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke theksuar se qëllimi kryesor është përmirësimi i sigurisë në komunikacion dhe kontroll më efikas i shkelësve, përcjell TV21. Sipas Toshkovskit, sistemi tashmë nuk kufizohet vetëm në zbulimin e shpejtësisë së madhe, por përdoret edhe për identifikimin e llojeve të tjera të shkeljeve.

“Dhe tani konstatojmë një numër më të madh shkeljesh. Nuk është vetëm shpejtësia, por edhe ndryshimi i gabuar i korsisë, kthimi i gabuar dhe kalimi në semafor të kuq”, tha Toshkovski.

Reklame

Ai shtoi se në periudhën e ardhshme është planifikuar përmirësim i mëtejshëm i sistemit, me ç’rast do të zgjerohet automatikisht lista e shkeljeve që mund të regjistrohen. Një nga fazat e para, siç njoftoi ai, do të jetë edhe vendosja e ndëshkimeve për parkim të gabuar.

“Në pjesën e parkimit të gabuar, kjo do të jetë një nga fazat e para që do të implementohet”, deklaroi ministri.

Toshkovski sqaroi se në gjithë procesin do të përfshihen disa institucione, me qëllim që sistemi të zbatohet saktë dhe pa parregullsi në ndëshkimin e qytetarëve.

“Këtu do të përfshihen më shumë institucione, sepse bëhet fjalë për shumë shkelje dhe nuk duam që, pa rregulla të plota, të kemi ndëshkime të padrejta. Prandaj jemi të kujdesshëm në këtë pjesë”, tha ai.

Si fazë e parë e zbatimit të sistemit të zgjeruar, ministri përmendi rrugët kryesore të kryeqytetit.

“Synimi i parë për implementim, pra për detektim, do të jenë arteriet kryesore të qytetit të Shkupit, pra bulevardet”, shtoi Toshkovski.

By admin7