Burri i Albulena Haxhiut e akuzon Daut Haradinajn për mercenarizëm: “Dauti e Samiu kanë me puthë tokën kur të arrestohen”

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi ka reaguar pas një deklarate të mbrëmshme të Daut Haradinajt nga Aleanca, i cili tha se do të kishte gjakderdhje sikur të mos miratoheshin në Kuvend ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale mbrëmjen e 6 tetorit.

Krasniqi, i cili është edhe bashkëshorti i kryeparlamentares Albulena Haxhiu, hodhi akuza të rënda për ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e quajtur model të “mercenarizmit të pasluftës” dhe duke e akuzuar për “haraq dhe krim ordiner”.

“Dauti e ka me ligjin për byronë e konfiskimit të pasurisë së fituar me haraq dhe krim ordiner. E krimi nuk vjetërohet e as nuk mbulohet nën kauzën e UÇK. Tipat si ky janë modeli i mercenarizmit të pasluftës. Njerëz të paprekshëm që kanë krijuar norma paralele dhe jetojnë në realitet paralel i cili nuk njeh shtet, ligje, institucione, demokraci dhe i mbivendosen atyre me shantazh, dhunë përmes strukturave të tyre kriminale paralele”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Duke përmendur edhe kryetarin e Skënderajt, ish-komandantin tjetër të UÇK-së, Sami Lushtaku, Zyba tha se ata “kanë me puthë tokën e Kosovës nga arrestimi”.

“Pra, dijeni. Kur Dauti, Samiu etj kanë me puthë tokën e Kosovës nga arrestimi për veprat e tyre kriminale dhe korruptive, të kësaj Kosove që mendojnë që vetëm këta e kanë çliru e ne jemi robër të tyre, atëherë këtij vendi ka me i ardh era SHTET që frymon sipas idealeve të dëshmorëve. E unë për një Kosovë të tillë jetoj,veproj, flijohem”.

Për deklaratën e Haradinajt reagoi edhe bashkëpartiaku i Krasniqit, deputeti Salih Zyba i cili kërkoi reagimin e Prokurorisë pas deklaratave të Haradinajt, duke pyetur se a kishte ai plan për gjakderdhje natën e 6 tetorit.