Buxheti, Kina dhe Ukraina në qendër të samitit të BE

Buxheti, Kina dhe Ukraina në qendër të samitit të BE

Udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian do të mblidhen sot në Bruksel për një samit dyditor, ku në fokus do të jenë ekonomia, buxheti i ardhshëm i BE-së, marrëdhëniet tregtare me Kinën dhe mbështetja për Ukrainën.

Takimi do të nisë me diskutimet mbi konkurrueshmërinë e dobësuar të ekonomisë evropiane dhe rritjen e çmimeve të energjisë, çështje që vijojnë të ushtrojnë presion mbi vendet anëtare.

Një tjetër temë e rëndësishme do të jetë deficiti i lartë tregtar i BE-së me Kinën. Brukseli e akuzon Pekinin se përdor subvencione shtetërore për të krijuar konkurrencë të padrejtë.

Përpara samitit, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë bërë thirrje për masa të reja evropiane kundër praktikave që, sipas tyre, shtrembërojnë konkurrencën në treg.

Liderët do të shqyrtojnë gjithashtu nëse planet e njoftuara së fundmi për kufizimin e importeve të automjeteve hibride nga Kina janë të mjaftueshme për të përmirësuar marrëdhëniet e tensionuara mes palëve.

Në axhendë është edhe buxheti i ardhshëm shumëvjeçar i BE-së për periudhën 2028–2034.

Propozimi i fundit për kompromis nuk pritet të zgjidhë lehtësisht mosmarrëveshjet mes vendeve më të pasura, përfshirë Gjermaninë, dhe shteteve që mbështeten ndjeshëm te fondet e kohezionit të Bashkimit Evropian.

Edhe pse nuk pritet një marrëveshje përfundimtare gjatë këtij samiti, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, është nën presion për të gjetur një zgjidhje që do të mundësonte arritjen e kompromisit deri në fund të vitit.

Të premten, në takim pritet të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili do t’u kërkojë liderëve evropianë mbështetje të mëtejshme për Kievin, pas intensifikimit të sulmeve ruse ndaj Ukrainës, ku dhjetëra civilë kanë humbur jetën.